Milionat nuk garantojnë fitoren! Al Hilal ka pësuar një nga humbjet më befasuese të sezonit në kampionatin saudit, duke u mundur 2-0 në shtëpi nga NEOM dhe duke i dhënë fund një serie të jashtëzakonshme prej 47 ndeshjesh radhazi pa humbje në Ligën Saudite.

Al Hilal investoi plot 205 milionë euro në merkato, duke ndërtuar një skuadër të mbushur me yje, por në ditën kur pritej që milionat të bënin diferencën, ishin kundërshtarët ato që dolën triumfues.

Skuadra e Simone Inzaghit e kishte nisur sezonin në mënyrë perfekte, me 15 pikë nga 15 të mundshme, por pësoi një goditje të papritur.

Inzaghi vendosi për herë të parë nga minuta e parë treshen Gabriel Martinelli, Crysencio Summerville, Ollie Watkins.

Tre sulmues për të cilët Al Hilal ka paguar respektivisht 70 milionë euro te Arsenali, 64.5 milionë euro te West Ham dhe 58.4 milionë euro te Aston Villa.

Në total, një sulm që kushton mbi 192 milionë euro vetëm në këta tre futbollistë. Por në fushë, milionat nuk prodhuan asnjë gol.

NEOM goditi që në minutën e 15-të, kur Kalidou Koulibaly shënoi në portën e tij, duke i dhënë avantazhin skuadrës mike. Goditja e dytë erdhi pak para pushimit, me Amadou Koné që dyfishoi shifrat.

Al Hilal u përpoq të reagonte në pjesën e dytë, por sulmi i kushtueshëm nuk gjeti rrugën e rrjetës dhe NEOM mori një fitore të madhe. Humbja mund t’i kushtojë shtrenjtë Al Hilal edhe në garën për titull.

Al Nassr i Cristiano Ronaldos tashmë ka mundësinë të afrohet me kreun nëse mposht Ahba-n.

Ndërkohë, NEOM është ngjitur në vendin e katërt, vetëm tre pikë pas Al Hilal.

Klan News

/tvklan.al