Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ve në gatishmëri ushtrinë për rifillimin e sulmit në Gaza, nëse Hamasi nuk liron deri të Shtunën, 3 pengjet e radhës.

“Nëse Hamasi nuk liron pengjet tona deri të Shtunën pasdite, armëpushimi merr fund dhe ushtria i kthehet luftimeve deri kur Hamasi të mposhtet plotësisht”.

Deklaratën e bëri pas një mbledhjeje të kabinetit të luftës, ku u shpreh mbështetja për ultimatumin që presidenti amerikan Donald Tramp i vendosi Hamasit për lirimin e pengjeve deri të Shtunën në mesditë, e që në të kundërt do të përballen me ferrin mbi tokë.

Tramp kërkoi lirimin e të 76 pengjeve të mbetur dhe jo vetëm të atyre 3 të radhës, ndërsa Netanjahu nuk e specifikoi.

Kërcenimi i Netanjahut u shoqërua me protesta masive në Tel Aviv, ku pjesëmarrësit kërkuan që armëpushimi të mos prishej. Ndërsa presidenti amerikan Donald Tramp përparon me planin për largimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës, të cilin ia parashtroi në Shtëpinë e Bardhë, mbretit Abdullah të Jordanisë.

Hamas shtyu lirimin e pengjeve pasi akuzoi Izraelin se ka kryer bombardime ditët e fundit në veri të Gazës në shkelje të armëpushimit.

Tv Klan