Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paraprirë dhe kufizuar kohëzgjatjen e mbledhjes së kabinetit politik e të sigurisë, ku pritej të diskutohej plani operacional për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës. Kjo, për t’i mundësuar atij dhe disa ministrave të marrin pjesë në një aktivitet të organizuar nga kreu i Këshillit Rajonal të Binyamin, Israel Gantz.

Sipas gazetës Yedioth Ahronoth, mbledhja, e para me përbërje të plotë që nga miratimi nga Hamasi i propozimit për armëpushim më shumë se një javë më parë, ishte parashikuar për në orën 18:00, por u zhvendos për në orën 16:00 dhe do të zgjasë vetëm deri në 19:00.

Burime të caktuara thonë se edhe bashkëshortja e kryeministrit, Sara Netanyahu, pritet të marrë pjesë në këtë aktivitet. Disa ministra e kanë kritikuar ashpër vendimin, duke e quajtur “të pabesueshme që Kryeministri dhe ministrat zgjedhin të nderojnë Israel Gantz në kurriz të kohës për një diskutim të thelluar”.

Zyra e kryeministrit është përgjigjur duke thënë se “nuk është e pazakontë; takimi i kabinetit ka një orar të ngjashëm me programe të tjera të kryeministrit”./tvklan.al