Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në jug të Libanit për aq kohë sa Hezbollah të konsiderohet një kërcënim për sigurinë e Izraelit. Gjatë një vizite në zonën që Izraeli e cilëson si zonë sigurie brenda territorit libanez, Netanyahu u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe drejtues të lartë të ushtrisë.
Ai përgëzoi trupat për operacionet ushtarake të zhvilluara në Liban dhe tha se Izraeli ka goditur rëndë atë që e quajti “boshti iranian”.

“Ne goditëm vetë Iranin, diçka që askush nuk e besonte se do të ndodhte, dhe eliminuam një kërcënim ekzistencial. Lidhja më e rëndësishme e boshtit iranian ishte këtu, Hezbollah.”

Netanyahu pretendoi se arsenali i Hezbollahut është reduktuar ndjeshëm dhe se mijëra luftëtarë të grupit janë vrarë gjatë operacioneve izraelite.

“Ne nuk do të lejojmë më që një ushtri terroriste të vendoset pranë kufirit tonë. Po shkatërrojmë çdo infrastrukturë mbi dhe nën tokë që është përdorur për sulme kundër Izraelit. Nëse identifikoni një kërcënim për sigurinë tuaj apo jetën e ushtarëve, veproni. Mos prisni. Ky është një urdhër i panegociueshëm.”

Netanyahu përsëriti se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga jugu i Libanit derisa, sipas tij, kërcënimi i Hezbollahut të jetë eliminuar plotësisht.

Klan News

/tvklan.al