Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ka urdhëruar ushtrinë izraelite të zgjerojë kontrollin territorial në Rripin e Gazës deri në 70%.
Gjatë një konference për mediat, Netanyahu u shpreh se aktualisht Forcat Mbrojtëse të Izraelit kontrollojnë rreth 60% të territorit të Gazës, ndërsa shtoi se objektivi i radhës është zgjerimi i këtij kontrolli.
“Tani jemi në 60% të territorit të Rripit të Gazës. Ishim në 50%. Ne u zhvendosëm në 60%”, tha ai. “Direktiva ime është të lëvizim drejt, hap pas hapi, para së gjithash drejt 70%. Le të fillojmë me këtë”, tha Netyanyahu.
Deklarata e kryeminstrit izraelit vjen në një moment kur armëpushimi i ndërmjetësur nga SHBA-të dhe i dakordësuar në tetor të vitit 2025 mes Izraelit dhe Hamasit mbetet i brishtë.
Ndërkohë, sulmet izraelite në Gaza kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, të paktën 738 palestinezë janë vrarë që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në tetor.
Në një tjetër deklaratë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se Izraeli mbetet i vendosur për të eliminuar drejtuesit e Hamasit dhe për të penguar rikthimin e grupit në pushtet në Gaza.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vijon të shprehë shqetësim për përshkallëzimin e konfliktiit dhe pasojat humanitare në territorin palestinez.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, deri më 12 maj 2026, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në mbi 72 mijë, ndërsa më shumë se 172 mijë persona janë plagosur.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 