Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se lufta e fundit e vendit të tij me Iranin kishte krijuar “mundësi” për lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit në Gaza, teksa raportohen për më shumë se 30 persona të vrarë të dielën (29 qershor).
“Janë hapur shumë mundësi, para së gjithash, për të shpëtuar pengjet”, tha Netanyahu, raporton AFP.
“Sigurisht, do të na duhet të zgjidhim edhe çështjen e Gazës, të mposhtim Hamasin, por vlerësoj se do t’i arrijmë të dy qëllimet”, shtoi ai.
Deklaratat e tij ngritën shpresën për një armëpushim të ri në konfliktin shkatërrues në territorin palestinez, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se shpresonte që një armëpushim të mund të vulosej brenda ditësh.
Duke postuar në platformën e tij Truth Social të dielën, Trump ndërhyri, duke shkruar: “BËNI MARRËVESHJEN NË GAZË. KTHENI PENGJET!!!”
Izraeli po bombardon Gazën në një përpjekje për të shkatërruar grupin militant Hamas pas sulmit të tij vdekjeprurës ndaj Izraelit në tetor 2023.
Netanyahu tha se pas “fitores” së fundit të vendit të tij ndaj Iranit në luftën e tyre 12-ditore, “janë hapur shumë mundësi… para së gjithash, për të shpëtuar pengjet”.
Pas luftës midis Izraelit dhe Iranit që përfundoi me një armëpushim më 24 qershor, presioni i brendshëm dhe diplomatik është rritur mbi Netanyahun për të siguruar gjithashtu një ndalim të luftimeve në Gaza.
Ushtria izraelite i tha AFP-së se nuk ishte në gjendje të komentonte mbi sulmet e raportuara, por tha se po luftonte “për të çmontuar kapacitetet ushtarake të Hamasit”.
Të paktën dy fëmijë u vranë në një sulm ajror në shtëpinë e tyre, në lagjen Zeitun të qytetit të Gazës në mëngjesin e sotëm (29 qershor).
Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 56,500 njerëz në Gaza, kryesisht civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi. Kombet e Bashkuara i konsiderojnë këto shifra të besueshme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
