Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar ushtrinë që të “godasë fuqishëm objektivat e Hezbollahut” në Liban, vetëm dy ditë pasi armëpushimi mes palëve u zgjat edhe për tre javë.
Pas këtij urdhri, Izraeli ndërmori sulme të reja ajrore, ndërsa të paktën gjashtë persona u vranë nga goditjet në jug të Libanit gjatë së shtunës. Përplasjet e vazhdueshme ndërkufitare mes Hezbollah dhe forcave izraelite po vënë në rrezik marrëveshjen e brishtë të armëpushimit.
Marrëveshja, e cila ka sjellë një ulje të intensitetit të luftimeve, por jo ndalim të plotë, u zgjat pas bisedimeve të zhvilluara në Uashington mes përfaqësuesve të të dyja palëve.
Sipas autoriteteve libaneze, katër persona humbën jetën pas një sulmi ndaj një kamioni dhe një motoçiklete në zonën Yohmor al-Shaqeef, në distriktin Nabatieh. Ndërkohë, dy persona të tjerë u vranë dhe 17 u plagosën në një tjetër sulm në qytetin Safad al-Battikh, në distriktin Bint Jbeil.
Nga ana e saj, ushtria izraelite deklaroi se kishte “eliminuar” disa anëtarë të Hezbollahut që po transportonin armë, si dhe persona të tjerë që, sipas saj, përbënin kërcënim për trupat izraelite në jug të Libanit.
IDF raportoi gjithashtu për identifikimin e një objekti ajror “të dyshimtë”, duke e cilësuar si një tjetër shkelje të armëpushimit.
Në reagim, Hezbollah njoftoi se kishte goditur një mjet ushtarak izraelit në jug të Libanit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite.
Pas urdhrit të Netanyahu-t, mediat shtetërore libaneze raportuan për një seri sulmesh të njëpasnjëshme në disa zona të jugut të vendit, përfshirë distriktet Bint Jbeil, Tyre dhe Nabatieh.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur infrastrukturë ushtarake të Hezbollahut dhe se do të vazhdojë operacionet “kundër çdo kërcënimi ndaj civilëve izraelitë dhe ushtarëve”.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, pasi Izraeli vijon të mbajë trupa në pjesë të jugut të Libanit dhe të kryejë operacione ushtarake.
Në zhvillime të tjera, një organizatë ndërkombëtare për lirinë e medias, Media Freedom Coalition, dënoi sulmet ndaj gazetarëve, pasi një gazetare libaneze, Amal Khalil, u vra gjatë një sulmi izraelit disa ditë më parë.
Koalicioni u bëri thirrje palëve që të respektojnë sigurinë e gazetarëve, ndërsa ushtria izraelite mohoi se kishte në shënjestër përfaqësues të medias.
/tvklan.al












Botërori 2026 
