Kompania filmike mbërrin në Stamboll, nis prodhimin serialeve turke

Shikueshmëria e lartë dhe shtimi i abonentëve në Turqi duke e çuar numrin në total në mbi 3 milionë i ka shtyrë krijuesin e Netlix që të hapë zyrë edhe në Stamboll.

Pavarësisht pengesave ligjore nga autoritetet turke, gjigandi mediatik tashmë synon që të futet fuqishëm në tregun kinematografik turk. Jo vetëm zyrë e re, por Netflix po rekruton aktorët e skenaristët më të mirë turq ndërsa njoftoi se çdo muaj në platformë shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin një serial dhe një film prodhim turk.

Ndonëse rrjeti Netflix është gjobitur disa herë për përmbajtjen nga autoritetet turke Ministria e Kulturës e ka dhënë aprovimin për hapjen e zyrës në Stamboll dhe tani po bëhen përgatitjet e fundit.

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm që hedh Neflix në një kohë kur prodhimet turke kanë pushtuar jo vetëm Ballkanin, por po transmetohen edhe në Europë dhe Amerikën Latine. Vendimi i Netflix është gjithashtu një sfidë e hapur me kompanitë turke të prodhimit si dhe me televizionet në vend të cilat prime time ia dedikojnë serialeve.

Netflix është aktualisht një prej platformave mediatike që prodhon më shumë seriale, filma e dokumentarë të cilët blihen edhe nga media të tjera ndërsa në rrjet gjenden edhe prodhime të kompanive të tjera që kanë patur sukses në vendin e origjinës.

Netflix numëron sot mbi 195 milionë abonentë dhe është i shpërndarë në 190 shtete të botës.

Klan Plus