Nga data 7 tetor, Shqipëria do të bëhet pjesë e sistemit SEPA, një hap historik për modernizimin e pagesave ndërkufitare. Për Bankën e Shqipërisë, qytetarët dhe bizneset janë ata që do të përfitojnë nga shërbime më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta.

“Përmes SEPA-s, transferimet me vendet e Bashkimit Evropian do të kryhen brenda ditës, pra më shpejt nga ç’janë tani dhe me kosto 5 herë më të ulët. Ky është një ndryshim i madh për çdo përdorues të sistemit bankar. Përfitojnë emigrantët, do të ketë më shumë fluks të hyrash, sektori i turizmit, por edhe bizneset që kryejnë transaksione me jashtë”, thotë Ledia Bregu, drejtoreshë e Departamentit të Sistemit të Pagesave në Bankën e Shqipërisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, futja në SEPA pritet të nxisë përdorimin e kanaleve digjitale dhe të ulë përdorimin e cash-it në ekonomi, duke forcuar formalizimin dhe transparencën financiare.

“Kjo risi jo vetëm lehtëson jetën e qytetarëve dhe bizneseve, por është edhe një hap konkret drejt integrimit financiar me Bashkimin Evropian. Shqipëria tashmë ofron standarde të njëjta me ato të vendeve të BE-së”, shton Bregu.

Ekspertët theksojnë se përfshirja në SEPA është një proces i gjatë, që është shoqëruar me përshtatje të infrastrukturës teknologjike, rregullave ligjore dhe sigurisë së transaksioneve.

“Ne kemi punuar për të garantuar sigurinë maksimale të sistemit dhe mbrojtjen e konsumatorit. Qytetarët mund të kenë besim të plotë se transaksionet e tyre janë të mbrojtura dhe të monitoruara në çdo hap”, vijon Bregu.

Përmes SEPA-s, Shqipëria jo vetëm që lehtëson qarkullimin e parasë dhe investimeve, por afrohet edhe më shumë me tregun unik evropian, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë dhe qytetarët.

Tv Klan

/tvklan.al