7 nëntor 2026 – Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) ka dërguar për gjykim 16 persona, të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, e cila akuzohet për trafikimin e mbi 60 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019-2021.

Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar edhe pasuri me vlerë rreth 9.2 milionë euro.

Sipas SPAK, organizata vepronte në bashkëpunim me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil dhe kishte ndërtuar një rrjet ndërkombëtar për sigurimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës në tregjet europiane.

Ajo kishte një strukturë tejet të organizuar, ku secili prej personave të përfshirë kishte detyra të caktuara, nga sigurimi i kokainës në vendet e origjinës deri te transportimi, shpërndarja dhe shitja e saj në tregjet europiane.

Rrjeti dyshohet se vepronte në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Për organizimin e aktivitetit, personat e përfshirë përdornin edhe platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, ku, sipas hetuesve, diskutonin për sasitë e drogës, transportin dhe lëvizjen e parave.

Nga komunikimet e zbërthyera janë identifikuar edhe biseda dhe fotografi që lidhen me fshehjen e kokainës në ngarkesa me produkte të ligjshme, të eksportuara nga Paraguaji drejt Europës. Ndërsa për transferimin e parave të përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal përdorej sistemi informal Hawala dhe kode identifikuese të njohura si “token”.

Njëri siguronte kokainën, tjetri e shpërndante në Europë

Ervis Çela dyshohet se ishte përgjegjës për sigurimin e drogës në vendet e origjinës, kryesisht në Amerikën Latine. Ai merrej me kontaktet me furnizuesit, negocimin e çmimeve dhe cilësisë së kokainës, financimin e blerjes dhe organizimin e transportit nga Bolivia drejt Paraguajit.

Sipas SPAK, ai ishte i përfshirë edhe në grumbullimin, magazinimin dhe përgatitjen e ngarkesave për t’u nisur drejt Europës.

Nga ana tjetër, Franc Çopja kishte në fokus financimin dhe organizimin e transportit ndërkombëtar, si dhe shpërndarjen e kokainës në Europë. Sipas hetimeve, ai koordinonte kompanitë që porosisnin mallra të ligjshme, të cilat përdoreshin për të fshehur drogën në kontejnerë. Gjithashtu, dyshohet se organizonte nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane, veçanërisht ai i Anversës në Belgjikë, si dhe shitjen e kokainës në tregjet europiane.

Stuko, bojëra dhe kontejnerë

SPAK thotë se në komunikimet e zbërthyera, laboratorët ku prodhohej kokaina në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi, përmendeshin me termin “kuzhina”.

Pasi sigurohej nga furnizuesit, droga transportohej drejt Paraguajit, ku grumbullohej dhe përgatitej për eksport. Për këtë qëllim përdoreshin edhe avionë të vegjël, të cilët kryenin transportin nga Bolivia drejt zonave rurale të Paraguajit. Në komunikimet e analizuara përmenden ngarkesa deri në 500 kilogramë kokainë, të cilat më pas transferoheshin në kamionë për t’u dërguar drejt pikave të magazinimit dhe përgatitjes për eksport.

Për të fshehur drogën gjatë transportit ndërkombëtar, sipas SPAK, përdoreshin edhe kompani tregtare në pronësi të një shtetasi paraguajan. Kokaina fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme, si stuko patinimi, bojëra dhe materiale të tjera industriale. Në këtë mënyrë, kontejnerët paraqiteshin si eksporte të zakonshme tregtare.

Paguhej ryshfet për çdo kilogram kokainë

Sipas hetimeve, për çdo kilogram kokainë paguheshin rreth 4.100–4.200 dollarë, shumë që përfshinte edhe transportin deri në portin e Villetës në Paraguaj. Për ngarkimin e drogës në anije paguheshin edhe 1.300 dollarë të tjerë për kilogram, të cilat, sipas SPAK, shkonin për ryshfet.

Nga porti i Villetës, ngarkesat niseshin përmes rrugëve ujore të lumenjve Paraguaj dhe Paraná drejt portit të Buenos Airesit në Argjentinë. Aty, kontejnerët ngarkoheshin në anije të mëdha tregtare, të cilat vijonin udhëtimin drejt Europës.

Ndër destinacionet e identifikuara nga hetuesit ishin portet e Hamburgut në Gjermani, Anversës në Belgjikë, Barcelonës në Spanjë dhe Roterdamit në Holandë.

Një nga elementet e skemës ishte ndryshimi i destinacionit të kontejnerëve gjatë udhëtimit drejt Europës. Sipas SPAK, kjo bëhej për t’i orientuar ngarkesat drejt porteve ku ishin krijuar kushtet për nxjerrjen e kokainës.

Kontaktet në portin e Anversës

Një pjesë e rëndësishme e hetimeve lidhet me mënyrën se si organizohej nxjerrja e kokainës nga portet europiane. Në këtë fazë, sipas SPAK, Franc Çopja kishte një rol të veçantë, për shkak të kontakteve që dyshohet se kishte krijuar me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë në portin e Anversës, përfshirë punonjës që operonin skanerët e kontrollit të kontejnerëve.

Sipas hetimeve, për nxjerrjen e drogës nevojitej bashkëpunimi i personave që kishin informacion mbi lëvizjen e kontejnerëve dhe që mundësonin kalimin e tyre përmes kontrolleve portuale.

SPAK thotë se kostoja për nxjerrjen e kokainës nga porti arrinte në 15 për qind të sasisë së ngarkesës. Pagesa bëhej zakonisht në natyrë, duke dorëzuar një pjesë të vetë kokainës.

Holanda, qendra e magazinimit dhe shpërndarjes

Pasi nxirrej nga portet europiane, kokaina dërgohej kryesisht drejt Holandës, e cila, sipas SPAK, shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë.

Në këtë fazë, Franc Çopja dyshohet se koordinonte sasitë që do të shiteshin, përcaktonte çmimet, organizonte paketimin dhe transportin drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në administrimin e pagesave dhe ndarjen e fitimeve mes personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Po paratë si transferoheshin?

Një tjetër element i rëndësishëm i organizatës ishte mënyra se si qarkullonin paratë e përfituara nga trafiku i drogës.

Sipas SPAK, në vend të transfertave të zakonshme bankare, përdorej sistemi informal i njohur si Hawala. Ky mekanizëm mundëson transferimin e parave përmes një rrjeti ndërmjetësish në vende të ndryshme, pa qenë e nevojshme lëvizja fizike e shumave monetare.

Në komunikimet e zbërthyera përmendet edhe përdorimi i kodeve identifikuese, të njohura si “token”, të cilat shërbenin për të verifikuar dorëzimin dhe marrjen e parave. Në këtë rrjet përmenden si pika tranziti ose destinacioni Paraguaji, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.

Kush komandonte dhe kush zbatonte?

Sipas hetimeve të SPAK, organizata kishte një strukturë të ndarë në disa nivele drejtimi. Në krye të saj qëndronin Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, dhe Ervis Çela, të cilët dyshohet se kishin rolet kryesore në organizimin dhe koordinimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Në këtë nivel drejtues përfshihej edhe Fadil Balla, i cili bashkëpunonte kryesisht me Çelën.

Në nivelin e dytë të drejtimit ishte Petrit Lakatos, bashkëpunëtor i afërt i Çopjas, i cili merrej me nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Anversës në Belgjikë, magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës në Holandë, si dhe administrimin e parave. Ndërsa Mikolvan Mullaj dyshohet se koordinonte veprimtarinë operative nën drejtimin e Çelës dhe Ballës.

Sipas SPAK, secili prej tyre kishte bashkëpunëtorë që merreshin me transportin dhe dorëzimin e kokainës, mbledhjen e parave dhe dërgimin e ngarkesave në destinacione të ndryshme. Pra, organizata funksiononte përmes një ndarjeje të qartë detyrash, nga drejtuesit deri te personat që kryenin veprimet në terren.

60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës

Një nga detajet më të rëndësishme të hetimit lidhet me sasinë e kokainës që dyshohet se ka trafikuar kjo organizatë. Nga analizimi i komunikimeve në platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, si dhe nga provat e mbledhura në bashkëpunim me autoritetet e huaja, SPAK thotë se organizata ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, gjatë viteve 2019-2021.

Hetuesit kanë identifikuar edhe disa raste konkrete kur ngarkesa të lidhura me këtë veprimtari janë sekuestruar nga autoritetet europiane:

– Dhjetor 2019, Roterdam, Holandë: rreth 255 kg kokainë.

– Prill 2020, Barcelona, Spanjë: rreth 495 kg kokainë.

– Maj 2020, Roterdam, Holandë: rreth 300 kg kokainë.

– Nëntor 2020, Holandë: rreth 600 kg kokainë.

– Shkurt 2021, Hamburg, Gjermani: rreth 17 tonë kokainë.


Vetëm në këto pesë episode janë sekuestruar rreth 18.6 tonë kokainë. Këto janë disa nga rastet e identifikuara nga hetimi dhe jo e gjithë sasia që SPAK i atribuon organizatës.

Avionë, laboratorë dhe miliona dollarë

Çela kishte krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në Amerikën e Jugut, të cilët dyshohet se siguronin kokainën, organizonin transportin dhe merreshin me pastrimin e parave të përfituara nga trafiku.

Mes personave të identifikuar janë dy shtetas uruguaianë, të arrestuar në Paraguaj dhe Bolivi e më pas të ekstraduar në SHBA, të dyshuar për drejtimin e rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave.

Në këtë rrjet përfshiheshin edhe shtetas nga Paraguaji dhe Brazili. Njëri prej tyre, pronar i disa kompanive tregtare, dyshohet se vinte në dispozicion ambientet për magazinimin dhe fshehjen e kokainës në ngarkesa me produkte të ligjshme. Një tjetër, që zotëronte avionë sportivë, dyshohet se organizonte transportin e drogës nga Bolivia drejt Paraguajit.

SPAK evidenton gjithashtu bashkëpunimin e Çelës me furnizues brazilianë, të cilët merreshin me prodhimin, kontrollin e cilësisë dhe furnizimin me sasi të mëdha kokaine.

Sipas hetimeve, marrëdhënia e Çelës me furnizuesit ishte e tillë që këta të fundit ishin të gatshëm t’i jepnin atij dhe bashkëpunëtorëve të tij deri në 2-3 tonë kokainë pa parapagim. Pagesa shtyhej për një moment të mëvonshëm. Në disa raste, laboratorët e prodhimit nuk arrinin të përmbushnin kërkesat për sasitë e mëdha të porositura.

SPAK vlerëson se aktiviteti i kësaj organizate ka gjeneruar përfitime financiare potencialisht në vlera shumë të mëdha, deri në miliarda euro. Për këtë arsye, një pjesë e rëndësishme e hetimit është përqendruar te gjurmimi i parave dhe identifikimi i pasurive që dyshohet se janë krijuar me të ardhurat nga trafiku i drogës.

Pasuritë e sekuestruara

Në kuadër të hetimit, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi një sërë pasurish që dyshohet se kanë lidhje me veprimtarinë kriminale.

Mes tyre janë:

– Solis Farm në Baldushk, një kompleks me aktivitet në agroturizëm, hoteleri dhe restorant, së bashku me tokat, godinat, pajisjet dhe një llogari bankare me rreth 71 mijë euro.

– Pasuri të Albin Çelës, përfshirë disa parcela toke në zonën e Sharrës në Tiranë, kapanone industriale, një vilë të porositur dhe interesa në kompaninë Giam Konstruksion.

– Pasuri të Riza Çelës, përfshirë një sipërfaqe toke prej 5.900 metrash katrorë në Sharrë.

– Resorti Ajman Park në Xhafzotaj, Durrës, i lidhur me Fadil Ballën, investimi në të cilin vlerësohet në mbi 463 milionë lekë.

– Një vilë në kompleksin turistik Ionian Olea në Dhërmi, gjithashtu e lidhur me Fadil Ballën, me vlerë tregu rreth 1 milion euro.

– Pasuri të lidhura me Franc Çopjan, përfshirë 100% të kuotave të kompanisë Check Company dhe 25 automjete në pronësi të saj, me vlerë të vlerësuar rreth 70 milionë lekë.

Përveç këtyre pasurive, janë sekuestruar edhe 130 mijë euro cash, automjete dhe sende të tjera me vlerë. Në total, SPAK vlerëson se pasuritë dhe shumat monetare të sekuestruara arrijnë në rreth 9.18 milionë euro.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.


/tvklan.al