Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar këtë të dielë, më 22 mars, një videomesazh në rrjetet sociale, ku pasi uroi besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në shesh për të protestuar.
Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë, për të nderuar 34 vjetorin e 22 Marsit 1992, kur shqiptarët votuan për demokracinë, duke u ndarë nga diktatura komuniste.
“…mënyra më dinjitoze për të nderuar sot 34 vjetorin e 22 Marsit është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim, për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.
Për t’i dëshmuar Edi Ramës dhe botës se, ne nuk pajtohemi kurrë me farsat zgjedhore. Nuk pajtohemi kurrë me përdorimin e mandateve të krimit dhe të ligjeve të vendit, për të mbrojtur qeveritarët hajdutë dhe kryeministrin kryehajdut të vendit.
Sot le ta shndërrojmë ne këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, përsëri në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët, të ardhmes evropiane të tyre.”, shprehet kryedemokrati në videomesazhin e publikuar vetëm pas orë para nisjes së protestës së thirrur përpara Kryeministrisë në orën 18:00.
Protesta e radhës kombëtare në Tiranë, ka si kërkesa kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama, formimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protesta e sotme mbahet në një ditë simbolike për demokratët, duke e lidhur me 22 marsin e vitit 1992, datë historike kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit.
Më herët, Policia e Tiranës ka njoftuar dhe planin e masave, që përfshijnë mbylljen e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, si dhe të disa rrugëve të tjera, ndërsa bëri me dije dhe rrugët alternative që mund të përdoren nga drejtuesit e mjeteve (lexo më shumë).












Botërori 2026 
