Dy të plagosurit në atentatin e Don Boskos të martën, Kastriot Elezi dhe Ronaldo Metushi, nuk kanë qenë ndihmues në dëshminë e dhënë para hetuesve. Siç mëson Tv Klan, ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte të hapura dhe nuk kanë dhënë asnjë emër të dyshuari.

Gjithashtu treguan se të martën kanë ndjekur të njëjtën rutinë të ditës si ditët e tjera dhe se nuk kanë arritur të shohin dot atentatorët. Nga ana tjetër, grupi i hetimit ka arritur të zbulojë se kjo makinë që shihni në foto, Golf 5 ngjyrë gri e përdorur nga autorët ka pasur të vendosura targa të cilat janë vjedhur në Valias, por pronari nuk i ka deklaruar.

Ajo është djegur plotësisht në fshatin Qerekë pranë Kamzës dhe nga vendi ku mjetit i është vënë flaka, besohet se autorët janë larguar në këmbë. Grupi i hetimit i ka të përqëndruara pistat në të shkuarën e 45-vjeçarit Elezi, i cili ka precedentë penal dhe i dyshuar për përfshirje në krim.

Por gjithashtu janë duke u mbledhur të dhëna për përfshirjen në aktivitete të tjera në Shqipëri gjatë kohëve të fundit. 45-vjeçari Kastriot Elezi dhe 22-vjeçari Ronaldo Metushi, ishin duke qëndruar të ulur në një kafe në zonën e Don Boskos, kur autorët i qëlluan me pistoletë me silenciator nga makina të paktën 7 herë.

Tv Klan