Në Shqipëri divorci mbetet ende një nga çështjet më delikate, për shumë edhe tabu. Ditët e fundit një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik. Ngjarja e rëndë në Shkodër ku një nënë u vetëmbyt bashkë me tre fëmijët e saj pas dramave familjare që lidhen me bashkëshortin e saj, ka ‘shkundur’ edhe një herë vendin tonë.

E ftuara e sotme e “Në Kurthin e Piter Pan”, artistja e mirënjohur Alma Bektashi ka folur hapur për divorcin e saj nga ish-partneri Sokol Stafa, duke e konsideruar si një pjesë normale të jetës.

Ndaj mbrëmjen e sotme ajo ndau një mesazh shumë të fuqishëm për të gjitha gratë e divorcuara, ato që janë në prag divorci e të gjitha vajzat e gratë që nuk janë të lumtura në marrëdhëniet e tyre.

“Divorci nuk është fundi i jetës, është fillimi i një jete tjetër. Çdo grua që e merr një vendim të tillë duhet të jetë e fortë, largpamëse dhe të jenë edhe baba edhe nënë edhe model për fëmijët. Nëna në asnjë mënyrë nuk duhet të mendoj një fund të errët. Divorci ose e kaluara nuk është burg i përjetshëm, por një derë që mbyllet e hapet një tjetër”, tha ajo./tvklan.al