Konflikti i fundit mes Iranit, SHBA-ve dhe Izraelit ka dhënë efekte në tregjet e hidrokarbureve, duke prekur edhe Shqipërinë. Prej gati një javë ka nisur rritja e çmimit të naftës dhe benzinës, duke arritur në gati 200 lekë për litër.
Për të shmangur rritjen abuzive të çmimeve, është ngritur një task-forcë për karburantet, e cila, sipas ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, do të monitorojë çdo ditë tregun.
“Do të marrim çmimet e bursës nga administrata doganore për karburantet që hyjnë në vend dhe do të shohim me çfarë çmimi zhdoganohen nga operatorët. Më pas do të verifikohen marzhet e fitimit për të kuptuar nëse ka abuzime apo spekulime në treg”.
Operacioni nuk do të jetë thjesht administrativ. Task-forca do të zbresë në terren për të verifikuar nëse çdo litër naftë që shitet është i zhdoganuar dhe i faturuar rregullisht.
Nga ana tjetër, nëse çmimi do të vijojë në rritje, ministrja e Ekonomisë, pas mbledhjes së qeverisë, foli edhe për mundësinë e rikthimit të bordeve të transparencës.
“Nuk jemi në këto kushte. Megjithatë, nëse rritja e çmimeve do të vazhdojë, mund të konsiderojmë masa të tjera”.
Me sa duket, ky presion i shtuar i shtetit ka sjellë një reflektim të tregut, duke bërë që një ndër pikat kryesore të furnizimit me karburant në kryeqytet të ulë çmimin e naftës me 5 lekë, pasi nga 198 lekë që ishte të martën, më 11 mars, çmimi shënon 193 lekë për litër. Pavarësisht kësaj uljeje, në pikat e tjera çmimi vijon të jetë i njëjtë, dhe që nga nisja e konflikteve në Lindjen e Mesme, çmimi i karburanteve ka reflektuar rritje me 13%.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 