Jensen Huang, një prej figurave më të fuqishme të industrisë globale të teknologjisë dhe bashkëthemeluesi i Nvidia-s, dukej se i kishte të gjitha: pasuri marramendëse, ndikim në qarqet më të larta politike në Uashington e Pekin dhe një reputacion të ndërtuar mbi imazhin e një familjari të përkushtuar. Por karriera e tij mori një kthesë të papritur pas publikimit të dy skandaleve për lidhje jashtëmartesore, të cilat i kushtuan edhe postin drejtues në kompaninë që e kishte shndërruar në një yll të teknologjisë.
Në moshën 63-vjeçare, Huang dha dorëheqjen të enjten, pas dy zbulimeve të njëpasnjëshme. Fillimisht u publikua lajmi për një marrëdhënie me një sipërmarrëse, e cila dyshohet se kishte lidhje me shërbimet kineze të spiunazhit.
Më pas, të mërkurën, dolën raportime se ai kishte pasur edhe një lidhje me një kolege në Nvidia. Huang pranoi se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, Lori Mills, me të cilën është i martuar që prej vitit 1985, dhe kërkoi falje për lëndimin e familjarëve.
I lindur në Tajvan në vitin 1963, Huang u transferua në Shtetet e Bashkuara në moshën nëntëvjeçare dhe u diplomua për inxhinieri elektrike në Universitetin Shtetëror të Oregonit dhe Stanfordit. Pas një periudhe pune në AMD, ai bashkëthemeloi Nvidia-n në vitin 1993, duke e shndërruar kompaninë fillimisht në një emër të rëndësishëm në industrinë e videolojërave dhe më pas në një gjigant të inteligjencës artificiale.
Sot, Nvidia vlerësohet afro 4 trilionë dollarë dhe furnizon me mikroçipa kompani si Google, Microsoft, Amazon, Meta dhe OpenAI. Pasuria personale e Huang vlerësohet rreth 145 miliardë dollarë.
Për vite me radhë, ai ishte një nga drejtuesit më të kërkuar të teknologjisë nga liderët botërorë, me marrëdhënie të afërta me presidentin amerikan Donald Trump dhe ndikim të konsiderueshëm në garën teknologjike mes SHBA-ve dhe Kinës. I njohur për xhaketën e tij të zezë prej lëkure dhe stilin e veçantë të prezantimeve, Huang ishte cilësuar edhe si “Taylor Suift i teknologjisë”.
Megjithatë, skandalet kanë goditur rëndë imazhin që kishte ndërtuar ndër vite, veçanërisht atë të një bashkëshorti dhe babai të përkushtuar, duke hedhur hije mbi një karrierë që e kishte çuar në majat e industrisë globale.
/tvklan.al












Botërori 2026 
