Nivelet e ngrohjes globale mund të kalojnë 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale brenda pak viteve të ardhshme.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin deklaroi se ndikimet e niveleve klimatike po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, por është ende e mundur të ulen temperaturat dhe të arrihen objektivat globale të vendosura në Marrëveshjen e Parisit.

Në raportin e agjencisë identifikohet rruga “tejkalim, kulm dhe rënie” si opsioni më i mirë për të minimizuar si shkallën, ashtu edhe kohëzgjatjen e ngrohjes mbi 1.5°C përpara se temperaturat të rikthehen nën atë nivel.

Kjo rrugë synon të kufizojë ngrohjen maksimale përmes uljeve të mëdha të emetimeve të gazrave serrë.

Në raport thuhet se edhe skenari më optimist do të shihte që temperaturat globale të arrinin kulmin në 1.8°C mbi nivelet paraindustriale, duke tejkaluar qëllimin e Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes në 1.5°C. Shumica e skenarëve të tjerë parashikojnë nivele edhe më të larta.

“Priten dëme të rënda në shëndetin e njeriut, sigurinë ushqimore, furnizimin me ujë, natyrën, qytetet, infrastrukturën dhe ekonomitë”, shkruhet në raport.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin theksoi në raport se disa ndikime ka të ngjarë të shfaqen papritur, ndërsa të tjerat do të grumbullohen me kalimin e kohës.

Klan News

/tvklan.al