Propozimi i ri i Omanit për menaxhimin e përbashkët rajonal të Ngushticës së Hormuzit mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si administrohet një nga rrugët detare më strategjike në botë.

Sipas raportimeve, Muscati i ka paraqitur zyrtarisht Iranit një plan që synon ta kalojë administrimin e Ngushticës së Hormuzit nga një model i dominuar nga Teherani në një sistem bashkëpunimi rajonal, duke kufizuar kontrollin ekskluziv iranian mbi këtë korridor jetik për tregtinë globale të energjisë.

Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Oqeanin Indian. Përmes saj kalon rreth një e pesta e konsumit global të naftës, si dhe sasi të mëdha të gazit natyror të lëngshëm (LNG), çka e bën atë një nga pikat më të ndjeshme të transportit detar ndërkombëtar. Çdo tension ushtarak apo politik në këtë zonë reflektohet menjëherë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në koston e transportit detar.

Propozimi i Omanit mbështetet mbi modelin e Ngushticës së Malakës, e cila konsiderohet një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal për menaxhimin e një korridori detar strategjik. Ngushtica ndodhet mes Malajzisë, Indonezisë dhe Singaporit dhe nuk kontrollohet ekskluzivisht nga një shtet i vetëm. Përkundrazi, tre shtetet bregdetare bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e lundrimit, patrullimet detare, shkëmbimin e informacionit, operacionet kundër piraterisë, kërkim-shpëtimin dhe mbrojtjen e mjedisit detar.

Ky bashkëpunim zhvillohet përmes mekanizmave të përbashkët, ndërsa shtetet që përdorin intensivisht ngushticën si Japonia, Kina, Koreja e Jugut dhe vende të tjera importuese të energjisë, kontribuojnë financiarisht dhe teknikisht në projekte për përmirësimin e sigurisë së lundrimit. Këto kontribute janë vullnetare dhe administrohen përmes mekanizmit të njohur si “Mekanizmi i Bashkëpunimit”, i krijuar në përputhje me nenin 43 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS), e cila inkurajon bashkëpunimin ndërmjet shteteve bregdetare dhe shteteve përdoruese të ngushticave ndërkombëtare.

Sipas projektit të Omanit, një model i ngjashëm mund të zbatohet edhe në Ngushticën e Hormuzit. Të gjitha shtetet që shfrytëzojnë këtë korridor do të kontribuonin në mënyrë vullnetare në një fond të përbashkët, i cili do të financonte sigurinë e lundrimit, operacionet e kërkim-shpëtimit, mbrojtjen e mjedisit detar dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së nevojshme. Një skemë e tillë do të ulte varësinë nga kontrolli i një shteti të vetëm dhe do të krijonte një sistem më të balancuar të administrimit rajonal.

Çështja është diskutuar edhe në nivel diplomatik. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, zhvilloi bisedime me homologët e tij të Omanit dhe Arabisë Saudite, duke e vendosur të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit në qendër të dialogut rajonal.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që Irani të ndalojë sulmet dhe ndërhyrjet ndaj anijeve tregtare që kalojnë nëpër ngushticë, duke theksuar se liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare dhe i sigurisë së tregtisë globale.

Çfarë parashikon UNCLOS për ngushticat?

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS) i konsideron ngushticat që përdoren për lundrim ndërkombëtar si korridore me rëndësi globale. Ajo garanton të drejtën e “kalimit transit” (transit passage), që u lejon anijeve dhe avionëve të kalojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të shpejtë pa pengesa të pajustifikuara.

Shtetet bregdetare ruajnë sovranitetin mbi ujërat territoriale të ngushticës, por ky sovranitet ushtrohet në përputhje me detyrimet e UNCLOS. Ato nuk mund të pezullojnë apo bllokojnë arbitrarisht kalimin transit dhe kanë detyrimin të mos pengojnë lirinë e lundrimit ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, anijet që kalojnë duhet të respektojnë ligjet e shteteve bregdetare për sigurinë e lundrimit, mbrojtjen e mjedisit dhe rregullat e tjera të pranueshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Neni 43 i UNCLOS inkurajon në mënyrë të veçantë shtetet bregdetare dhe shtetet përdoruese të bashkëpunojnë për vendosjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve të navigimit, masave të sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit detar. Pikërisht mbi këtë dispozitë është ndërtuar modeli i bashkëpunimit në Ngushticën e Malakës dhe mbi të njëjtën logjikë mbështetet edhe nisma e Omanit për Hormuzin.

Megjithatë, situata e Ngushticës së Hormuzit paraqet edhe një dimension politik e juridik të veçantë. Irani e ka nënshkruar UNCLOS, por nuk e ka ratifikuar atë, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Konventë, megjithëse deklarojnë se shumë prej dispozitave të saj, përfshirë lirinë e lundrimit, përfaqësojnë të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe janë detyruese për të gjitha shtetet.

Në këtë kontekst, propozimi i Omanit synon të krijojë një mekanizëm rajonal bashkëpunimi që do të ulte tensionet politike, do të rriste sigurinë e lundrimit dhe do të garantonte administrim më të balancuar të një prej korridoreve më të rëndësishme të ekonomisë botërore.

/tvklan.al