Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për sektorin bujqësor. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, njofton se aplikimet janë të hapura deri më 30 shtator.
Sipas Denajt, për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara. Aplikantët mund të përfitojnë nga më shumë se një masë.
Mbështetja përfshin ndërtimin e serave diellore të reja për prodhimin e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës; mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta; rrjeta antibreshër për pemët dhe agrumet; sistemet e ujitjes me pika; ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendarisë; mekanizimin dhe modernizimin e fermave bujqësore dhe blegtorale; pajisjet për përpunim dhe paketim për perime, fruta dhe vaj ulliri; investime në agroturizëm; si dhe koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë.
Kjo skemë financimi ka për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe fuqizimin e inovacionit në zinxhirin agroushqimor, duke siguruar gjithashtu përmbushjen e standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 