5 muaj pasi kaloi për gjykim, Gjykata e Posaçme nisi këtë të enjte gjyqin për 7 të pandehurit e dosjes së njohur si “Metamorfoza”.
Treshja e gjyqtarve dëgjoi kërkesën për gjykim të SPAK ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar se në bashkëpunim me Behar Bajrin dhe Edmond Prekën, kanë kryer vrasjen e Gjin Boriçit dhe kanë siguruar kushtet për vrasjen e Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.
SPAK thotë se ata u ndihmuan edhe nga ish-shefi i krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegaj, që u jepte informacione. Teksa hetimet treguan edhe se Pëllumb Gjoka e Behar Bajri kishin korruptuar ish-prokurorin Xhevahir Lita dhe ish-shefin e forcave operacionale Oltion Bistri.
Të gjithë këta janë në gjykim në të njëjtin proces.
Në seancën e kësaj të enjte, pati debate mbi formën e gjykimit dhe ndarjes ose jo të çështjes. Tre ish-zyrtarët kërkuan gjykim të shkurtuar dhe ndarjen nga pjesa tjetër. Por avokatët e Pëllumb Gjokës, që thanë se tërhiqeshin nga kërkesa për gjykim, gjithashtu pretenduan se çështja nuk duhet të ndahej.
Gjyqtarët e posaçëm u tërhoqën për disa minuta në dhomë këshillimi dhe më pas vendosën të shtyjnë seancën dhe të marrin më shumë kohë për të dalë me një vendim për këtë çështje në 23 Prill.
Tv Klan