Gjykimi i 19 personave të akuzuar nga SPAK se janë përfshirë në disa vrasje, atentate në tentativë apo  grabitje me dhunë nisi me ngërçe procedurale që duket se do t’i kushtojnë kohë Gjykatës së Posaçme.

Teksa pritej që këtë të enjte të çelej procesi dhe SPAK të lexonte kërkesën për gjykim dhe akuzat që rëndojnë ndaj të pandehurve të vënë në pranga si rezultat i dosjes “Plumbi i Artë”, kjo nuk ndodhi.

Një nga gjyqtaret konstatoi që kishte lidhje familjare me avokatin e një prej të pandehurve duke e konsideruar konflikt interesi dhe çoi në shtyrjen e gjyqit në mënyrë që të ketë një vendimmarrje për këtë çështje.

Në këtë seancë për herë të parë, të zhvilluar pa praninë e kamerave, të pandehurit u përballën me familjarët e viktimave në atentatet për të cilat ata akuzohen, si dhe vetë personat që kanë qenë objektiv në atentatet e dështuara.

Përballja krijoi tensione në gjykatë, ku motra e një prej viktimave të një atentati në Durrës, kërkoi drejtësi.

Në këtë proces, SPAK ka 3 persona të penduar. Fillimisht për ngjarjet rrëfeu Nuredin Dumani, pas tij u pendua edhe Erion Alibej dhe Skerdi Tase. Të pandehurit akuzohen për 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe 3 episode të vjedhjeve me dhunë.

Tv Klan