Seanca e shumëpërfolur për 115 akuzat kundër Manchester City do të mbahet të hënën. Pritet që procesi të zgjasë rreth dy muaj.
Sipas “Sky Sports”, Citysens do të duhet që të japin llogari për thyerjen e rregullave të fair-play-it financiar për një periudhë nëntëvjeçare, e cila nisi në vitin 2009 dhe vazhdoi deri në vitin 2018.
Gjatë kësaj periudhe, klubi i Man City që i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tyre, e fitoi tre herë Premier League.
E tashmë do të duhet që të hedhë poshtë akuzat se në nëntë sezone ka dështuar që të japë informacion të saktë financiar.
Ndër akuzat është fakti se drejtuesit nuk bënë publike shpërblimet financiare të dhëna nga një nga trajnerët për një periudhë katër vjeçare.
Dyshimet janë se një nga trajnerët është paguar më shumë se sa shifrat zyrtare. Për më tepër që sipas Premier Ligës, Siti nuk i ka respektuar rregullat e Fair Plait financiar të UEFA-s për një periudhë pesë vjeçare.
Klubi ka marrë kritika pasi nuk ka shprehur gadishmërinë e nevojshme për çështjen. Citysens tani rrezikojnë si penalitet që t’u zbriten pikët, por nuk përjashtohet edhe zbritja një kategori më poshtë.
Klan News