Mësuesit: Frekuentimi i kënaqshëm sidomos nga nxënësit e mirë, ata që kanë më shumë mangësi nuk kanë ardhur

Ka startuar në mbarë vendin mësimi plotësues për arsimin 9-vjeçar dhe shkollat e mesme. Për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19, mësuesit por edhe nxënësit e kanë detyrim përdorimin e maskës në ambientet e shkollës.

Mësuesi i matematikës Ramazan Fejzo tregon se sa u takon temave që do të zhvillohen, ato do të jenë në formën e konsultimeve dhe në varësi të nevojave të identifikuara për çdo shkollë.

Ne në fund të vitit shkollor bëmë disa përfundimtare për të parë arritjet e nxënësve përgjatë vitit. Këtë vit shkollor kemi përgatitur planet e përsëritjes, kryesisht për temat ku nxënësit kishin dobësi”.

Pavarësisht se frekuentimi i nxënësve ishte i kënaqshëm, sipas Fejzos mësimi do ishte më mirë të ishte i detyrueshëm për të gjithë dhe jo të lihej në dëshirë të nxënësve.

Pjesëmmarrja themi është e kënaqshme, por jo 100%. Me c’pashë unë sot, nxënësit që kanë më shumë nevojë, që kanë dobësi më tepër, pothuajse nuk morën pjesë. Pjesëmarrja ishte e plotë nga nxënësit mesatarë dhe shumë të mirë. Besoj se në ditët në vazhdim pjesëmarrja do të rritet dhe nxënësit do të shohin që disa njohuri duhet t’i marrin për herë të dytë. Ishin në mësim online dhe jo çdo gjë shkon si në mësimin në shkollë”.

Veç lëndëve bazë,  Gjuhë shqipe”, “Letërsi”, “Matematikë” si dhe “Gjuhë e huaj e parë” për nxënësit e klasës së gjashtë e më tej. si dhe për gjimnazistët, ofrohen konsultime dhe në lëndët shkencore, “Biologji”, “Kimi” dhe “Fizikë”. 

Gjatë zhvillimit të temave të përsëritjes nuk do të ketë vlerësim me notë të nxënësve. Ndërkohë që mësuesit pavarësisht se kanë apo jo mësim duhet të jenë të pranishëm në shkollë. Mësimi plotësues do të vijojë deri më 24 Shtator, ndërsa viti i ri shkollor 2021-2022 është shtyrë për më 27 Shtator.

Klan News