Kjo nuk është një orë normale mësimi, por një seancë konsultimi pjesë e programit “Pas Shkollës”.

Projekti ka nisur të pilotohet në 49 shkolla të kryeqytetit që prej fillimit të muajit maj.

Nxënësit nga klasa e parë në të pestën, tashmë qëndrojnë në ambientet e shkollës deri në orën 15:00.

Sipas mësuesve, ky projekt është një frymëmarrje jo vetëm për nxënësit, por mbi të gjitha për familjet e tyra.

Edhe vetë nxënësit shprehen të kënaqur. Ky program u jep mundësinë të përfundojnë jo vetëm detyrat e shtëpisë, por edhe të angazhohen në aktivitete artistike e sportive.

Drejtoresha e shkollës “Bashkim Fino”, Ines Rushiti, thotë se interesi i prindërve ka qenë mjaft i lartë, ndonëse aktualisht bëhet fjalë për një numër të reduktuar nxënësish në fazë pilotimi.

Nga ana tjetër, sipas saj mësuesit janë mjaft të motivuar, pasi pagesa për këtë angazhim është dyfishuar.

Zgjatja e orarit ka qenë një kërkesë e kahershme e prindërve që punojnë, ndaj nisja e këtij procesi është mirëpritur gjerësisht.

Nevoja për këtë shërbim vlerësohet edhe nga psikologët, të cilët theksojnë se suksesi qëndron te vijimësia dhe shtrirja në të gjitha shkollat e vendit.

Nga ky pilotim, Ministria e Arsimit do të grumbullojë të dhënat e nevojshme që modeli të zbatohet plotësisht në vitin e ri mësimor 2026-2027.

Zëvendësministrja Herida Duro sqaron se orari nuk pritet të kalojë orën 15:00 dhe se pjesë e projektit mund të bëhen edhe mësuesit në pension.

Sa i përket ushqimit, kjo mbetet një çështje që i takon pushtetit vendor dhe kërkon ndryshime ligjore.

Aktualisht, fëmijët e marrin ushqimin me vete nga shtëpia, pasi për drejtuesit e shkollave, menaxhimi i mensave do të ishte një barrë shtesë për stafin.

Mirëfunksionimi i këtij programi dhe shtrirja e tij masive mbetet sfida kryesore e arsimit për shtatorin e ardhshëm.

Klan News

/tvklan.al