Raportim Live

Çfarë ndodhi në foltoren e pestë të Berishës para Kryeministrisë

Protesta e 22 dhjetorit ishte kryefjala e foltores së pestë radhazi të Partisë Demokratike, të zhvilluar këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë.

Kryedemokrati Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve demokratë, por jo vetëm, që t’i bashkohen protestës së 22 dhjetorit, ndërsa përsëriti akuzat e tij për korrupsion ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Berisha u zotua se opozita nuk do të largohet nga sheshi deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se në përballjen me këtë qeveri nuk mund të ketë rrugë tjetër, përveç: “protestës, përballjes dhe kacafytjes me të”.

Deri më tani PD nuk ka një skenar të mirëfilltë se si do të zhvillohet protesta kombëtare, por detajet mbi mënyrën se si kjo do ndodhë do të vendosen në mbledhjen që pritet të mbahet ditën e mërkurë, në orën 17:00 të Këshillit Kombëtar të kësaj force politike, që është edhe organi i dytë më lartë në PD, pas Kuvendit.

Megjithatë deri më tani, mund të themi se PD ka patur disa skenarë, nga ai për të bllokuar trafikun kryqëzime të caktuara deri tek protesta të vazhdueshme në shesh, por janë ende deklarata pa vendim.

Berisha paralajmëron Ramën: Edhe mbrapa diellit po shkove do japësh llogari

Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do të japë llogari për vjedhjet që opozita e akuzon. Ai u kërkoi simpatizantëve të tij të bëjnë maksimumin para protestës kombëtare që do të zhvillohet më 22 dhjetor.

“Edhe mbrapa diellit po shkove llogari do japësh për të gjitha këto që ke bërë. Këto ditë nga e hëna gjer të dielën të bëjmë çdo gjë, të mbledhim dhe të takojmë çdo guximtar. Koha është e guximtarëve që vendosin të sakrifikojnë dhe ju garantoj ju se fitorja jonë është e pashmangshme”, tha Berisha.

download app

Berisha: Do bëjmë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në betejën ndaj qeverisë

Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për të krijuar frontin më të gjerë opozitar të mundshëm në betejë për rrëzimin e qeverisë.

“Ju garantoj se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. Ju garantoj se PD-ja do të përdorë të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës, gjer në largimin e tij. Cila është më e mira, më kryesorja. Zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është. Këtu duhet të arrijmë ne. Këtu duhet të betohemi ne. Këtu duhet të vijnë njerëzit e betuar për të shpëtuar Shqipërinë. Si opozitë, le të paraqesim para shqiptarëve programin më të shkëlqyer që kemi paraqitur ndonjëherë”, tha Berisha.

Berisha zotohet: Do kacafytemi në këtë shesh deri në largimin e Ramës!

Në protestën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen për rezistencë të vazhdueshme, duke u zotuar se opozita nuk do të largohet nga sheshi deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Ai i bën të gjitha këto vetëm për shkakun tonë. Duhet të jemi të vërtetë me veten tonë, se e lejojmë ne, e u jap fjalën e nderit se kur ta zëmë këtë shesh me betimin se nuk do e lëshojmë deri në largimin e tij, se do ia mbathë. Por dua të them këtu, koha ka kaluar sigurisht, megjithatë vijmë më të vendosur se kurrë. Dy mbledhje janë bërë dy ditët e fundit nga forumet e PD-së, Kryesia dhe Grupi Parlamentar, kanë dalë me një vendim solemn, të përvishemi deri në fitore, se rrugë tjetër përveç protestës, përballjes, kacafytjes me të nuk ka dhe nuk mund të ketë.”, tha Berisha.

Berisha i del në krah Adriatik Lapajt: I hoqën çadrat dhe ujin, akt banditesk!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapajt, dhe mbështetësve të tij, të cilët protestojnë çdo ditë përpara godinës së Kryeministrisë.

“Të nderuar protestues të Partisë Shqipëria Bëhet, sot, sonte, ne mblidhemi për të shpallur para jush këtu, për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PS nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve. Miqtë e mi, parafolësit këtu theksuan se Edi Rama është një hajdut i papërmbajtur, por në të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shteron guximin më shumë është vjedhja, ndaj dhe Edi Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë. Vetëm një moment, shiko çfarë bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më civile, vë disa karrige aty dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë, me orë të tëra, policia e banditët u heqin çadrat, tavolinën, u heqin ujin me aktet më banditeske. Sepse ai është kryehajduti dhe kryefrikacaku i kombit. Ju garantoj unë se ai është aty, se ai vjedh shqiptarët ditë e natë, e thatë bukur, nuk ngopet kurrë”, tha Berisha.

Berisha nis fjalimin: Përshëndes protestuesit e Shqipëria Bëhet!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka nisur fjalën e tij në protestën e sotme, duke përshëndetur jo vetëm protestuesit e partisë së tij, por edhe ata të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, të Adriatik Lapajt.

Protesta e PD-së| Berisha zotohet: Do kacafytemi në këtë shesh deri në largimin e Ramës!

Nis zyrtarisht protesta e radhës e Partisë Demokratike, e thirrur nga kryetari i saj, Sali Berisha, përpara godinës së Kryeministrisë.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangolli, raporton se protesta do të zhvillohet në formën e një foltoreje, e ngjashme me ato të javës së shkuar.

“Fjalën do ta kenë të rinjtë, deputetët dhe eksponentët e Partisë Demokratike, si dhe qytetarë nga profesione të ndryshme, që do të bëjnë denoncime kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama”, tha Xhangolli. Ai shtoi se protesta do të përmbyllet me një fjalim nga kryedemokrati Sali Berisha.

Ashtu si në tubimet e mëparshme, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e sigurisë, përfshirë vendosjen e kangjellave përpara Kryeministrisë. Për të lënë hapësirë për foltoren e PD-së, policia ka zhvendosur edhe protestuesit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, të cilët protestojnë aty çdo ditë.

Ndërkohë, të mërkurën pasdite, rreth orës 17:00, pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i cili do të vendosë për protestën kombëtare të 22 dhjetorit, përfshirë kohëzgjatjen dhe detajet e tjera.

Partia Demokratike e ka thirrur këtë protestë për të matur pulsin e anëtarëve dhe për të mobilizuar sa më shumë qytetarë përpara Kryeministrisë, duke e vendosur fokusin te kërkesat dhe denoncimet ndaj qeverisë.

Po ashtu, sjellim ndërmend se Partia Demokratike ka vendosur këtë të hënë, më 15 dhjetor, që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat Populli.