“Kënga Magjike 2005”, festivali i muzikës alternative shqiptare do të vij edhe këtë vit si një bashkëprodhim i Televizionit Klan dhe producentit Ardit Gjebrea. Por, këtë herë bashkëpunimi i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë . Duket se një tjetër pikë e fortë tek “Kënga Magjike” është bashkëpunimi me “Radiotelevizionin 21” të Kosovës dhe regjisorët Agron Vula dhe Astrit Idrizi.

Ky fakt të habit në hap të parë pasi shënon një ndarje artistike momentale mes çiftit të njohur të ekraneve shqiptare, producentëve Ardit Gjebrea dhe Vera Grabocka. Gjebrea ndarjen e tij me Grabockën e ilustron me sloganin e njohur tashmë të Partisë Demokratike “Koha për ndryshim”.

Gazetarja: Nuk shoh Verën këtu. Ku është Vera këtë herë?

Ardit Gjebrea: “Po ky vit ka qenë një vit, i cili le të themi “koha për ndryshim” me qenë se fitoj. Slogani është “Koha për ndryshim” dhe të dy me Verën e filluam këtë gjënë me Miss Albanin, ku unë nuk prezantova isha vetëm bashkëproducent dhe e prezantoj Alketa. Vendosëm me Verën të ndryshojmë për një vit kalendarik, le të themi, televiziv që të dy të rifreskohemi pas 14 vjet bashkëpunimi, le të themi të punojmë me stafe të reja gjithmonë duke qenë së bashku. Ne dëgjohemi vazhdimisht në telefon.”

Gazetarja: Nuk ka ndodhur diçka?

Ardit Gjebrea: “Absolutisht. Vera është një dashuri e madhe që nuk do të vdesë kurrë në dashurinë që ne kemi për njëri tjetrin. Ne kemi një plan deri në korrik le të shikojmë se mund të ndryshojë gjithçka, por kemi në plan që në korrik të punojmë për një koncert të invers në Butrint dhe të shikojmë, por, deri atëherë kemi prioritete të tjera përpara.”

Puna për realizimin e këtij festivali të madh ka nisur duke realizuar pjesën e xhirimeve për një program të titulluar “Duke pritur Kënga Magjike 2005”.

“Kënga Magjike” është festivali i parë privat në  Shqipëri i cili që në momentin e parë të realizimit të tij kanë sugjeruar formulën e njohjes së këngëve nga publiku përpara se ato të prezantohen në skenën e festivalit.

Ardit Gjebrea: “Jemi në fazën e parë të xhirimeve. Do të jenë 16 ditë transmetimi televiziv të cilat titullohen  “Duke pritur Kënga Magjike 2005”. Të gjithë këngëtarët do të prezantojnë këngët e tyre. Siç e shikoni jemi me shumë të rinj. Nuk e di ju kanë pëlqyer këngët që keni dëgjuar deri tani?”

Publiku: “Po.”

Ardit Gjebrea: “Po ka edhe nga ta që nuk i kanë dëgjuar akoma se kanë ardhur sot dhe kot thonë po se nuk ka problem. Atmosfera është fantastike dhe ja një grup që nuk ju ka pëlqyer shumë s’ka gjë ne i eliminojmë. Po nuk u votuan ata nuk do të dalin në netët finale.”

Duke filluar nga 20 Tetori do të shënohen 16 ditë transmetimi televiziv të cilët do të prezantojnë nëpërmjet filmimeve të realizuara në “Bujtinën e Gjelit” këngët konkurrente në këtë festival./tvklan.al

Gazetare: Fjodora Fjora