Ditën e sotme nis shpërndarja e librave shkollorë për nxënësit. Në total janë 236 mijë fëmijë në të gjithë vendin që do t’i marrin librat falas. Lajmin e njoftoi kryeministri Edi Rama.

“Me nisjen sot të shpërndarjes së librave shkollorë Falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin, një mbështetje e përvitshme e Qeverisë për fëmijët dhe familjet e tyre në prag të vitit të ri shkollor, ju uroj një javë të mbarë”, shkroi Rama në një njoftim në rrjetet sociale.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte sot në shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, ku ndoqi shpërndarjen e librave.

Ajo tha se për këtë program qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 9 milion euro, duke siguruar tekste falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe për kategori të veçanta në shkollat e mesme, të cilët janë në vështirësi ekonomike ose sociale. Ministrja shtoi se përveç shpërndarjes së librave, po finalizohen edhe punimet për rehabilitimin dhe rindërtimin e disa shkollave që do të hapin dyert për vitin e ri shkollor.

Manastirliu foli dhe për zgjerimin e programeve digjitale në laboratorët inteligjentë në shkolla, përfshirë kodimin dhe mësimet e para të inteligjencës artificiale në kurrikulën e klasës së katërt.

“Janë më shumë se 340 laboratorë smart në të cilët në do të shtrijmë kurrikulën e teknologjisë dhe informacionit, përmes programit të kodimit codmankey. E zgjerojmë për klasën e katërt këtë vit për të gjithë nxënësit që janë pjesë e shkollave ku sot smartlab-et janë funksionalë, ku do të kemi një kurrikul të re, duke filluar me mësimet e para të inteligjencës artificiale në librin e klasës së katërt dhe duke i zhvilluar në kurrikulën që jemi duke hatuar si pjesë e modernizimit të kornizës kurrikulare në arsimin parauniversitar”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat për vitin e ri shkollor, Manastirliu shtoi se Programi Kombëtar i Trajnimit dhe Zhvillimit Profesional të Mësuesve do të vijojë. Më shumë se 2200 mësues do të trajnohen në bashkëpunim me universitetet publike./tvklan.al