Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi nga afër inspektimet në Lezhë, në zonën e Kune Vain, për detyrimin e subjekteve që operojnë në zonat bregdetare për të vendosur impiantet e trajtimit të ujërave të ndotur.

“Vetë fakti që është bërë përmes aktit normative tregon emergjencën që ne kishim për ta zgjidhur këtë proces përpara nisjes së sezonit ku pritet që të ketë edhe 4 milion vizitorë më shumë se çkishim një vit më parë. Fokusi jonë vijon të qëndrojë tek ultësira perëndimore duke qenë se është ajo pjesë që mban volumin më të madh të turistëve, pra nga Shkodra e deri ën Sarandë.”

Sipas Ballukut njësitë e hotelerisë kanë nisur që të vendosin impiantet e trajtimit të ujit, si një detyrim për të pasur ujëra larës të pastër.

“Nga Agjencia Europiane e Mjedisit për trajtimin e ujërave larës ne jemi konsideruar një vend me 67.5 ujëra të nivelit të shkëlqyer. Ndërkohë synimi i qeverisë shqiptare është që të arrijmë në 95% me një kriter të shkëlqyer.”  

I pranishëm ishte dhe kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili tha se të gjitha subjektet janë vënë në dijeni për këtë detyrim ligjor.

“Ky është një shembull shumë i mirë, në fakt vlen për të gjitha bizneset e tjera. Lezha do të ecë shumë shpejtë dhe do të realizojë ato detyra që i janë lënë që kanë të bëjnë me përmirësimin e turizmit.”

Problematikë për këtë subjekt turistik në zonën e Kune Vain është rruga, për të cilën zv.kryeministrja tha se do shikohet me vëmendje ndërsa foli dhe për rrugën Adriatiko-Joniane, Thuman-Kashar.

“Por sigurisht duhet infrastruktura dhe kjo është detyra e qeverisë dhe e bashkisë. Ne mundohemi të bëjmë më të mirën. Portet, aeroportet janë në dispozicion. Rrugët e reja që po ndërtohen, ju do të përfitoni padyshim sepse një nga problematikat më të mëdha është rruga e Fushë Krujës dhe ne me 30 Qershor hapim lotin e ri Thumanë-Kashar që shfryn gjithë trafikun.”

Deri më tani janë identifikuar rreth 3 mijë subjekte që kanë detyrim për të ngritur këto impiante ndërkohë që në vend janë vetëm 10 impiante të tilla.

Klan News