Trupi i liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është ekspozuar në Xhaminë e Madhe të Teheranit, duke shënuar nisjen e ceremonisë mortore shtatë ditore që do të shtrihet në disa qytete të Iranit dhe Irakut. Në krah të tij, edhe arkëmortet e katër personave të tjerë, ndër të cilët edhe të mbesës 14-muajshe që u vra në sulmin e 28 shkurtit amerikano-izraelit ndaj rezidencës së tij.

Autoritetet e Republikës Islamike po mobilizojnë deri në 20 milionë njerëz, duke e konsideruar këtë pjesëmarrje masive si një referendum popullor.

Masat e sigurisë janë të jashtëzakonshme: hapësira ajrore është bllokuar pjesërisht, ndërsa Teherani ka paralajmëruar një përgjigje të fuqishme ushtarake ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nëse guxojnë të kryejnë sulme gjatë këtyre ditëve.

Për arsye sigurie, djali i tij Mojtaba Khamenei nuk do të marrë pjesë në varrim, pasi ministri izraelit i mbrojtjes e shpalli atë si objektivin e radhës për t’u eliminuar. Khamenei do të përcillet për në banesën e fundit më 9 korrik në Mashad, qytetin e tij të lindjes.

Vrasja e Khameneit i dha fund sundimit të tij prej 36 vitesh në krye të shtetit. Tashmë, pushteti i tij absolut dhe drejtimi i vendit i kanë kaluar zyrtarisht djalit të tij, Mojtaba-s, si lideri i tretë suprem në historinë e Iranit.

Tv Klan

/tvklan.al