Pas muajsh të tërë spekulimesh dhe përfoljesh për garën mes disa prej emrave më të njohur të industrisë së filmit, tashmë është zbuluar aktori që do të marrë përsipër një nga rolet më ikonike të kinematografisë. Robert Pattinson do të jetë James Bond-i i ri.
Lajmi u bë publik të hënën nga Amazon MGM Studios, përmes faqes zyrtare të agjentit 007. Aktori britanik, i njohur për rolet në filmat e këtij viti “The Odyssey” dhe “The Drama”, si dhe për sagën e famshme “Twilight”, do të pasojë Daniel Craig në rolin e agjentit sekret.
“James Bond është një nga personazhet më legjendarë të kinemasë dhe të më besohet roli i 007 është nderi më i madh i jetës sime. Të them se ky rol është një ëndërr e bërë realitet do të ishte pak”, u shpreh 40-vjeçari në një deklaratë.
Thashethemet për aktorin që do të pasonte Daniel Craig nisën menjëherë pas publikimit të filmit “No Time to Die”, në vitin 2021, i cili përfundonte me mesazhin se “James Bond do të rikthehet”. Megjithatë, për pesë vite me radhë, projekti nuk pati zhvillime konkrete, ndërsa prapaskenat e sagës shoqëroheshin nga negociata dhe përplasje mes drejtuesve.
Gjatë kësaj kohe, në media qarkulluan emrat e disa aktorëve të njohur të brezit të ri, mes tyre Harris Dickinson, Callum Turner, Paul Mescal, Tom Holland, Jack Lowden, Aaron Taylor-Johnson, Henry Cavill, Theo James dhe Jacob Elordi. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ishte shpallur zyrtarisht si kandidat për rolin.
Një nga pyetjet që shoqëroi procesin e përzgjedhjes ishte nëse kishte ardhur momenti që James Bond të interpretohej nga një aktor me ngjyrë. Në listën e emrave të përfolur për këtë mundësi u përfshinë edhe Dev Patel, Henry Golding, Regé-Jean Page dhe Daniel Kaluuya.
/tvklan.al












Botërori 2026 
