Në Muzeun Etnografik të Durrësit u mbajt mbrëmja poetike “Një gotë për Dorin”, një aktivitet i organizuar nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në kujtim të poetit, shkrimtarit dhe publicistit Teodor Keko.
Poezitë e tij u rikthyen në skenë përmes interpretimit të aktorëve Mimoza Marjanaku, Ervin Doko, Era Çaushi, Romir Zalla, Adelina Muça, Jaho Guma, Suela Bako, Marvin Tafaj dhe Alesia Xhemalaj.
Çdo interpretim solli emocione, ndërsa publiku përjetoi nga afër botën krijuese të një prej zërave më të veçantë të letërsisë shqipe.
Për aktorin Romir Zalla, rikthimi te poezia e Teodor Kekos mbetet gjithmonë një përjetim i veçantë.
Sipas tij, veçanërisht poezitë kushtuar bashkëshortes së autorit mbartin një ndjeshmëri të rrallë.
E prekur nga atmosfera e mbrëmjes, bashkëshortja e poetit, Xhuli Keko, e cilësoi këtë aktivitet si mënyrën më të bukur për të kujtuar Dorin, në prag të 24-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe ditëlindjes së 2 shtatorit.
Ajo tha se, edhe pse mungesa nuk shuhet kurrë, vlerësime të tilla e mbajnë të gjallë kujtimin dhe veprën e tij.
Xhuli Keko bëri të ditur se tashmë ka ardhur koha për botimin e veprës së zgjedhur të Teodor Kekos, duke përmbyllur kështu publikimin e trashëgimisë letrare që ai la pas.
“Një gotë për Dorin” u kthye në një mbrëmje emocionesh dhe kujtese.
Një homazh për Teodor Keko, që dëshmoi se fjala e tij vazhdon të jetojë dhe të gjejë jehonë te lexuesit dhe publiku edhe pas shumë vitesh.
/tvklan.al












Botërori 2026 