Pas më shumë se tre dekadash nga themelimi i saj, Partia Demokratike vendosi të zgjedhë në krye të Këshillit Kombëtar një grua. Juliana Emiri, edhe pse një emër jo shumë i angazhuar politikisht në këtë forcë, por pjesëmarrëse në protestat e opozitës dhe së fundmi në ato qytetare, do të pasojë për katër vitet e ardhshme në këtë post Edi Palokën.

Me votën e anëtarëve të këtij forumi, demokratët përzgjodhën edhe 20 anëtarët e rinj të kryesisë, të cilëve do t’u shtohen më pas edhe emrat që do të mbajnë funksionet e reja në selinë blu: Sekretari i Përgjithshëm, Nënkryetarët e Partisë, kryetarët ose nënkryetarët e komisioneve parlamentare dhe sekretariatet.

Në listën me 61 kandidatë të propozuar nga Berisha, 5 deputetët, Edi Paloka, Arjan Ndoja, Luan Baci, Gent Strazimiri si dhe Fidel Kreka, nuk arritën të marrin votat e Këshillit. Mes emrave që futen për herë të parë në kryesi janë deputeti Gjin Gjoni, kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja dhe mjeku Ilir Alimehmeti.

Nga gratë më të votuarat janë Ilda Xhulali, Edit Harxhi dhe Eda Grimci, kryetare e degës nr. 9 të Tiranës. Një hapësirë e re është menduar edhe për të rinjtë, ku mes 6 emrave spikat Andia Ulliri, e cila arriti të marrë votat e demokratëve për të qenë pjesë e kryesisë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Nga radhët e të rinjve, si më i votuari u zgjodh djali i ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, Glauk Olldashi.

Emra si Jozefina Topalli, Belind Këlliçi, Aldo Bumçi, Bardh Spahia apo Florion Mima mbeten jashtë kryesisë, duke u zëvendësuar me figura të reja, ku 60% e 20 anëtarëve të zgjedhur janë të rinj nën 35 vjeç dhe kryesisht të gjinisë femërore. Nga 20 anëtarët, 14 prej tyre zgjidhen për herë të parë, në një proces që përfundoi në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Por përbërja finale e kryesisë së re do të mësohet pas disa ditësh, kur Berisha të zëvendësojë edhe sekretariatet dhe nënkryetarët, si dhe të plotësojë kuotat e diasporës.

Tv Klan

/tvklan.al