Gjykata Themelore e Prishtinës dha një muaj paraburgim për pesë serbët e Kosovës Dragan Cvetkoviç, Dragan Billiç, Millosh Shoshiç dhe Sllobodan Jevtiç të arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.

Ata ishin arrestuar mëngjesin e së shtunës gjatë një aksioni të autoriteteve të sigurisë së Kosovës në qytetin juglindor te Gjilanit.

Gjykata e argumentoi dënimin e pesë serbëve me faktin se nëse ata lihen të lirë mund të ikin dhe t’i shmangen nga procedurave penale, si shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë”.

“Po ashtu, ata mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Prokuroria i akuzon për krime lufte si, vrasjen, plagosjen dhe maltretimin e civilëve shqiptarë në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në Prill të vitit 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo sjellje e autoriteteve kosovare ka ngjallur reagime të ashpra nga Serbia.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare në Kosovë “t’i japin fund arrestimeve arbitrare, pasi rezultati i vetëm i këtyre akteve është shkatërrimi i karakterit multietnik” të Kosovës.

Ministria serbe pretendon se ky është “një shembull tjetër i sulmeve ndaj serbëve me qëllim të frikësimit dhe dëbimit”.

Sipas palës serbe të arrestuarit Dragan Cvetkoviç, Dragan Billiç, Millosh Shoshiç dhe Sllobodan Jevtiç janë njerëz të cilët kanë jetuar paqësisht për vite, pa probleme në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Që nga përfundimi i luftës rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë luftës në vitet ne Kosove 1998-99 u vranë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur,  pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Klan News