Autoritetet policore kanë mundur të parandalojnë një ngjarje e cila mund të kishte pasur pasoja të rënda. Bëhet fjalë për një konflikt brenda një familjeje në fshatin Domje të Vorës, ku bashkëshorti kërcënoi me armë të shoqen.

“Shërbimet e Policisë Vorë pas njoftimit të marrë se në fshatin Domje, Bashkia Vorë, në ambientet e banesës, shtetasi S. B., 66 vjeç, po dhunonte psikologjikisht bashkëshorten e tij duke e kërcënuar me armë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Autoritetet vunë në pranga bashkëshortin 66-vjeçar dhe sekuestruan kallashnikovin me të cilin ai kërcënoi me jetë 63-vjeçaren. I arrestuari akuzohet për veprat penale dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, vepra për të cilat rrezikon deri në 7 vjet burg./tvklan.al