Brenda mureve të Qytetit të Vatikanit, që nga fundi i viteve 1500, një punishte e vogël artizanësh të trajnuar është kujdesur për qindra mozaikë që dekorojnë brendësinë e Bazilikës së Shën Pjetrit, ndërkohë që ka krijuar edhe kryevepra të reja.
Krijimi i një mozaiku të vetëm mund të zgjasë me muaj, pasi 12 artistët e stafit në Studion e Mozaikëve të Vatikanit i mbledhin me kujdes pllakat e vogla me ngjyra në objekte fetare, si përshkrime të Jezusit dhe Marisë, ose jofetare, si pamje të Koloseut të Romës. Një nga prodhimet më të fundit të studios ishte një portret i Papa Leonin XIV, 12 metra i lartë, i cili u instalua në Bazilikën e Shën Palit të Romës Jashtë Mureve, në përputhje me një traditë që daton nga shekulli i 19-të.
Imazhi, i prodhuar nga një ekip prej tre personash gjatë pesë muajve, përmban rreth 16 mijë pllaka individuale. Për të kapur më mirë hijet e lëkurës së Papës, artistët iu drejtuan arkivit të tyre historik, një katalog me rreth 27 mijë lloje pllakash me ngjyra, të ruajtura në një dollap dosjesh me 9 mijë sirtarë që shtrihet në dy kate.
Studio gjithashtu krijon mozaikë më të vegjël, të cilët përdoren për një lloj “diplomacie mozaiku”, duke ua dhuruar ato udhëheqësve të huaj që vizitojnë Vatikanin ose gjatë udhëtimeve të tyre jashtë shtetit.
Adriano Galise, një nga artizanët e studios, shfaqi me krenari fotografi të veprave që ai krijoi, të cilat i ishin dhuruar nga i ndjeri Papa Benedikti XVI ish-presidentëve amerikanë George W. Bush dhe Barack Obama gjatë vizitave zyrtare në Vatikan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 