Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë në një ceremoni simbolike në Palm Beach, Florida. “Southern Boulevard”, që lidh aeroportin ndërkombëtar të Palm Beach me pronën e tij Mar-a-Lago, tashmë do të ketë emrin “President Donald J. Trump Boulevard”.

Para të pranishmëve, Trump shprehu kënaqësinë për nderimin dhe lidhjen e tij me Floridan, duke e cilësuar gjestin si një moment të paharrueshëm për të.

“Shumë njerëz, të rëndësishëm dhe jo të rëndësishëm, udhëtojnë në këtë rrugë. Por unë dua të falënderoj njerëzit e Floridës dhe të gjithë të pranishmit këtu. Do ta kujtoj këtë akt të jashtëzakonshëm për gjithë jetën time”.

Presidenti gjithashtu komentoi marrëdhëniet me Venezuelën, duke vlerësuar bashkëpunimin me udhëheqësit e përkohshëm të atij vendi dhe zhvillimet ekonomike që ai përmendi se janë nën administrimin amerikan.

“Ne po punojmë me presidenten e re të Venezuelës dhe me shumë nga njerëzit që drejtojnë vendin. Ata thanë se kanë 50 milionë fuçi naftë dhe duhet ta përpunojmë menjëherë sepse nuk kanë hapësirë. Pata thënë se do ta merrnim dhe kjo është një vlerë prej rreth 5.2 miliardë dollarë. Kjo po vjen në Shtetet e Bashkuara”.

Emërimi i një rruge në nder të një presidenti ende në detyrë është i pazakontë në SHBA dhe ka ngjallur diskutime në skenën politike amerikane.

Klan News

/tvklan.al