Këtë të shtunë, 21 nëntor, kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së Tiranës. Ai do të jetë i shoqëruar nga dy bashkëkryetarët e sapoemëruar të Partisë Socialiste në kryeqytet, përkatësisht Albana Koçiu dhe Ervin Demo.
Siç bën me dije gazetarja e Tv Klan, Elia Zotka, do të diskutohet lidhur me organizimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale, ku Tirana, si bashkia më e madhe e vendit, pritet të ketë një peshë të veçantë në strategjinë elektorale të socialistëve.
Të shtunën që lamë pas, më 14 nëntor, u zhvilluan punimet e Asamblesë Kombëtare në Gjirin e Lalëzit, në Durrës. Në fokus të diskutimeve ishte pikërisht riorganizimi i strukturave të partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit 2027.
Vendimmarrja e Asamblesë solli ndryshime të rëndësishme në drejtimin e partisë në Tiranë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj u la jashtë strukturave drejtuese, duke ruajtur vetëm statusin e anëtarit të thjeshtë. Ndërkohë, nga forumet drejtuese u larguan Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca.
Paralelisht me riorganizimin e strukturave, socialistët kanë ndezur ‘motorët’ me nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për 46 bashkitë e vendit.
Kujtojmë se ministri i Brendshëm, Ervin Demo, reagoi pas zgjedhjes së tij dhe Albana Koçiut si bashkëdrejtues të Partisë Socialiste në Tiranë, duke falënderuar kreun e qeverisë për besimin e dhënë.
Sipas tij, prioritet do të jetë forcimi dhe organizimi i strukturave të PS-së në çdo lagje, njësi administrative dhe fshat të kryeqytetit. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e punës në terren, komunikimit me qytetarët dhe adresimit konkret të problematikave të tyre, duke nënvizuar se përgjegjësia politike duhet të matet me rezultatet në shërbim të qytetarëve.
/tvklan.al












Botërori 2026 