Porto Palermo Festival mirëpriti për të katërtën herë Elina Dunin, në një mbrëmje ku muzika, jazz-i dhe tingujt shqiptarë u bashkuan në skenën unike të kalasë.

E shoqëruar nga kitaristi britanik Rob Luft, Elina Duni solli një performancë të ndjerë dhe elegante, duke udhëtuar përmes repertorit të saj mes jazz-it, muzikës tradicionale shqiptare dhe tingujve bashkëkohorë.

Zëri i saj karakteristik dhe interpretimi i veçantë krijuan një atmosferë intime, ndërsa publiku u bë pjesë e një mbrëmjeje ku muzika mori një tjetër dimension, në harmoni me historinë e kalasë dhe peizazhin e Porto Palermos.

Katër herë në Porto Palermo dhe çdo herë me një histori të re për të treguar përmes muzikës.

Ndër vite, Porto Palermo Festival ka marrë gjithnjë e më shumë jehonë, duke tërhequr jo vetëm publikun vendas, por edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe vizitorë të huaj.

Programi i larmishëm, që ndërthur zhanre, kultura dhe artistë të ndryshëm, e ka kthyer festivalin në një destinacion artistik që vizitohet jo vetëm për përvojën muzikore, por edhe atë kulturore e historike që vet kalaja ofron.

Kjo është java e fundit e edicionit të gjashtë të Porto Palermo Festival, e cila nis të enjten me “Olen & Deejay’s Night”.

Një mbrëmje që bashkon muzikën klasike me ritmet e DJ-it, duke sjellë në skenën e Porto Palermos një eksperiencë dinamike dhe bashkëkohore.

Festivali do të vijojë më pas me net të tjera muzikore, për t’u mbyllur më 16 gusht me një program që premton të ruajë energjinë e javës së fundit deri në momentin e fundit.

Tv Klan

/tvklan.al