Të gjithë e keni parë spotin e “Klan Nostalgjia”.
Shumë mund të pyesin përse lindi nevoja për krijimin e saj.
Albert Dumani, Drejtor Programacioni në Tv Klan, ishte i ftuar mëngjesin e sotëm, 7 mars, në emisionin “Aldo Morning Show”, për të ndarë më shumë detaje mbi kanalin e pestë televiziv të Tv Klan.
Ky kanal vjen për t’i shfaqur publikut të gjithë trashëgiminë artistike shqiptare, duke nisur nga filmi i parë ‘Skënderbeu’, e deri tek ato të viteve ’90. Më e rëndësishmja? Ato do të vijnë pranë jush me kualitet maksimal, si të figurës dhe gjithashtu të zërit.
“Nuk mund të ecësh përpara pa njohur të kaluarën. “Klan Nostalgji” është kanali i pestë i platformës televizive Klan. Lindi si kanal për të shfaqur edhe njëherë të gjithë atë trashëgimi artistike, kinematografike të popullit shqiptar. Kështu, të gjitha prodhimet kinematografike të kinostudios ‘Shqipëria e Re’, që nga filmi i parë ‘Skënderbeu’ i vitit 1953 deri në filmat e viteve ’90, shfaqen në “Klan Nostalgji”, por duhet theksuar se shfaqen në cilësinë maksimale të figurës dhe zërit. Po punohet natë e ditë që të sillen në cilësinë më të mirë, qoftë në audio, qoftë në video”, u shpreh Dumani.
Por nuk mbaron me kaq! Arkiva e pasur e Tv Klan do të rikthehet sërish për të ritransmetuar edhe një herë të gjitha spektaklet që ndryshuan rrënjësisht televizionin shqiptar. Do të keni mundësinë për të parë të gjithë yjet që ju adhuroni në fillimet e tyre, hapat e tyre të parë në karrierë që hodhën në Tv Klan.
“Do të vijnë si një kolan shumë i bukur, në një programacion shumë të përzgjedhur. Përveç filmave shqiptarë do të jenë edhe programe që kanë bërë histori në spektaklin televiziv modern në Shqipëri nga një televizion privat, siç është Tv Klan. Që nga gjeneza, që nga fillimet, që nga 1998. E gjithë arkiva e pasur e Tv Klan… Dihet që Tv Klan ka pasur dhe ka një rekord në prodhimtari. Kështu që programet hit, këto që kanë shenjuar jo vetëm memorien tonë si pjesë e televizionit, por edhe të publikut”, tha ai.
Vetë emri “Klan Nostalgji” vjen si një ndjesi, si një rikthim pas në kohë, një udhëtim i qetë nëpër kujtime, ku meloditë dhe zërat e dikurshëm ringjallin emocione, mall dhe çaste që kanë lënë gjurmë në zemrën e çdo shqiptari.
Ndaj, mos harroni! Më 9 mars, ora 15:00, qëndroni përballë ekranit tuaj për “Klan Nostalgji”.
/tvklan.al












Botërori 2026 