Pas largimit nga Italia drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, Aureli, nëna dhe motra e tij u gjendën për 4 muaj nga njëri kamp në tjetrin. Aureli tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” se ishte një torturë e vërtetë derisa vendosën që t’ilinin në një shtëpi ku gjithçka ishte e përbashkët dhe aty banonin shumë burra.

Gjatë kohës së qëndrimit në kamp, kishin njohur një familje kosovare që u kishte ofruar kontaktin e dikujt për t’i ndihmuar. Ata telefonuan këtë njeri misterioz që erdhi i veshur me një pallto të zezë e dukej i frikshëm, por që do u ndryshonte jetën. 20-vjeçari kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ardhjen e tij në atë shtëpi në të cilën nuk i la as edhe një sekondë më tepër. Nga ai moment, nuk janë ndarë më kurrë.

Aurel: Ai merret me shtetin, i merr në telefon, u thotë çdo lloj gjëje, si mund t’i lini aty ju, një familje, një grua vetëm me dy fëmijë kur janë gjithë ata çuna aty? Ky u thotë pastaj që unë do t’i marr përsipër, do t’i ndihmoj, do merrem me ta dhe këtë premtim e ka mbajtur. Ai merr një shokun e vet në telefon, i thotë atij se kishte një shtëpi të lirë. Ikëm te ajo shtëpi, u sistemuam në shkollë, mami shkoi në kurs për të mësuar gjuhën, pas një kohe vazhdoi edhe punën, por dita kur shkuam ne në shkollë ishte dita më e lumtur për të. Çdo hap që bënim na thoshte prisni t’ju bëj mami një foto se do të shkoni te shkolla, dita e parë e shkollës për ju, ishte një gëzim i paparë por edhe për ne gjithashtu se do të shkonim në shkollë,  do të njihnim shokë, shoqe, do të mësonim diçka, do ambientoheshim me vendin dhe siç të thashë, njeriu që na ka ndihmuar kaq shumë, ai sot është njerku im. Po ta kisha ditur se ai sot do të ishte këtu, unë do ia kisha çuar edhe atij mesazhin por që nuk  e dija që do të jetë këtu. Jam shumë krenar që e kam në jetën time.

Ardit Gjebrea: Çfarë përfaqëson ai për ty sot?

Aurel: Unë babain tim e kam gjallë, e dua shumë, dashurinë që kam unë për babin tim nuk mund ta zëvendësojë kush, por dashurinë që kam për të, nuk mund ta zëvendësojë as babi, asnjeri tjetër. Më është gjendur në një kohë që kam pasur shumë nevojë për një baba. Të ishte dikush, të më jepte dashuri, të më merrte e të më pyeste se si je, si ndihesh.

Njerku i Aurelit është duke ndjekur gjithçka që po ndodh në studio, i përlotur nga fjalët e thjeshtrit të tij./tvklan.al