Pak larg nga Belshi ndodhet një prej strukturave më të bukura që ka Shqipëria, Dumrea Ecopark.

Ndodhet mes dy liqeneve, me 9 shtëpiza druri, me disa aktivitet sportive që nga kajakët e deri tek biçikletat, makinat me bateri, njëkohësisht një vend interesant me atë që ofron me pjesën e restorantit dhe kafenesë.

Blendi Fevziu ishte atje ku zhvilloi edhe një intervistë me Dritan Kamanin. Të dy së bashku na njohën me pjesën brenda të shtëpizave të cilat aktualisht kushtojnë 5 mijë lekë të reja pa u përfshirë ushqimi.

Kamani tha se deri më tani është realizuar gjysma e investimit, por janë planifikuar të zhvillohet edhe një park aventure, fushë futbolli, fushë paintball-i, edhe një zonë për qëndrimin e kamperave.

Kamani tha se 60% e vizitorëve të Ecopark-ut janë shqiptarë, shumica nga Tirana dhe Elbasani, por theksoi se sapo të mbyllen të gjitha investimet, atëherë struktura do marrë “fytyrën e tij të plotë”./tvklan.al