Paralajmërimi i ambasadës amerikane për shtetasit e saj se Shqipëria mund të jetë shënjestër e sulmeve të grupeve të lidhura me Iranin ishte kryefjala e debatit në seancën parlamentare të kësaj të enjteje.

Opozita kërkoi praninë në sallë të kryeministrit Rama për të dhënë sqarime për masat e marra, ndërsa kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Ne kërkojmë që Rama të paraqitet në seancë dhe të japë shpjegime për deputetët. A ka një vlerësim zyrtar të institucioneve shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë, si dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje“, tha Gazment Bardhi. 

Por përfaqësuesit e qeverisë thanë njëzëri se nuk ka vend për shqetësim e panik. Sqaruan se thirrja e ambasadës amerikane u drejtohet edhe shteteve të tjera që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Janë çështje që ministria e Jashtme i merr në mënyrë të posaçme. Siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them se vlerësimi që kemi sot është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar”, tha Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Nuk ka vend për shqetësim. Ambasada Amerikane ka bërë thirrjen për të gjithë qytetarët e saj, e bën për të gjithë Evropën. Nuk e ka specifike për Shqipërinë”, tha Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. 

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se autoritetet shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën amerikane.

Deputeti i opozitës, Fatmir Mediu, renditi arsyet përse duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë, por kreu i grupit parlamentar i bëri thirrje që të jenë më të përgjegjshëm në qëndrime.

“Shqipëria, aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe anëtare e NATO-s, nuk ka sot asnjë informacion zyrtar për të qenë target i këtyre sulmeve, por natyrshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Taulant Balla.

“Çështjet kombëtare nuk janë ekskluzivitet as i Ministrisë së Jashtme dhe as i kryeministrit. Shqipëria ka një institucion i cili quhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i cili është pothuajse inekzistent prej kohësh”, tha Mediu.

“Mjaft na bëre ti sikur je përfaqësues i Kongresit”, u shpreh Balla.

Të mërkurën, Ambasada Amerikane u bëri thirrje shtetasve të saj që ndodhen në vendin tonë, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin vende të mbipopulluara apo turistike, pasi grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elemente të opozitës iraniane në Shqipëri.

Klan News

/tvklan.al