Sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për “sekretin më të keq të ruajtur të showbiz-it”, ndërsa po dalin gjithnjë e më shumë detaje për atë që cilësohet si “dasma mbretërore e Amerikës”. Festimet për martesën e shumëpërfolur të këngëtares Taylor Swift me yllin e futbollit amerikan Travis Kelce pritet të nisin sonte në Nju Jork.

Prej javësh qarkullojnë zëra se ceremonia mund të zhvillohet në “Madison Square Garden”, ku Swift ka performuar disa herë, më parë. Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar dhe zëdhënësja e saj nuk ka komentuar, përgatitjet intensive të ditëve të fundit kanë shtuar dyshimet.

Sipas Page Six, festimet do të nisin sonte me një darkë ku janë ftuar rreth 100 persona. Ndërsa ceremonia kryesore pritet të mbahet të premten, me mbi 1,000 të ftuar, mes tyre emra të njohur si Selena Gomez, modelet Gigi Hadid dhe Cara Delevingne, si dhe aktorja Zoë Kravitz.

Të ftuarit, sipas raportimeve, kanë nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti dhe nuk do të lejohen të mbajnë telefonat gjatë eventit. Ata pritet të mbërrijnë rreth orës 15:30 për një koktej, ndërsa ceremonia është planifikuar në orën 17:30, e ndjekur nga një pritje që do të zgjasë deri vonë natën.

Sipas të njëjtave burime, në mesin e artistëve që do të performojnë për të ftuarit përmenden Stevie Nicks dhe këngëtari i country-t Tim McGraw, ndërsa flitet edhe për pjesëmarrjen e mundshme të Ed Sheeran dhe Paul McCartney.

“Kështjellë” brenda Madison Square Garden

Prej fillimit të javës, në Madison Square Garden po zhvillohen përgatitje intensive për këtë event privat. Jashtë ambienteve, dhjetëra gazetarë dhe fotografë kanë ndjekur lëvizjet e mjeteve të ngarkuara me pajisje dhe dekorime.

Sipas TMZ, brenda arenës po ndërtohet një “kështjellë” e veçantë për ceremoninë. Ndërkohë, forca të shtuara policore dhe mbyllje të disa rrugëve përreth janë raportuar, megjithëse autoritetet nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht.

Ndërsa kurioziteti rritet, një pjesë e qytetarëve dhe turistëve kanë nisur të mblidhen pranë zonës për të parë nga afër përgatitjet e eventit që po mban në vëmendje të gjithë Nju Jorkun.

/tvklan.al