Një shkencëtar britanik dhe një kanadez janë fituesit e çmimit Nobel në Fizikë për këtë vit. Geoffrey Hinton dhe John Hopfield morën një prej vlerësimeve më të larta në këtë fushë për atë që konsiderohet si zbulim thelbësor për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
Siç thuhet në argumentimin e Akademisë suedeze të Nobelit, dy shkencëtarët përdorën koncepte themelore të fizikës statistikore për t’a bërë teknologjinë të mësojë në mënyrë automatike. Ata krijuan të ashtuquajturit “rrjete nervorë artificialë” që shfrytëzojnë bazat e mëdha të të dhënave si interneti për të krijuar pamje nga fjalët, për të marrë komanda përmes pamjeve ose për të përkthyer drejtpërdrejt përmes zërit.
Sipas jurisë së Nobelit, ata krijuan mundësinë që edhe makineritë të mësojnë, duke kontribuar për përmirësimin e teknologjisë që u lehtëson jetën njerëzve. Geoffrey Hinton është një prej arkitektëve të sistemit të Inteligjencës Artificiale të motorit më të madh të kërkimit në internet Google.
Vitin e kaluar, 76-vjeçari bëri bujë pasi me përfundimin e këtij projekti, dha dorëheqjen nga kjo kompani vetëm për të ngritur publikisht shqetësimin se Inteligjenca Artificiale mund të bëhet në të ardhmen më e zgjuar se njeriu dhe mund t’a nënshtrojë atë.
Dy shkencëtarët do të ndajnë së bashku një fond prej rreth 1 milionë eurosh.
Tv Klan