Tremujori i katërt i vitit 2024 u shënjua nga lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë dhe pasqyrimi i këtij lehtësimi u reflektua në reduktimin e normave të interesit, në të gjitha segmentet e tregut financiar. Presionet mbiçmuese mbi monedhën vendase janë shfaqur më të moderuara, teksa kushtet e tregtimit në tregun valutor kanë qenë të qeta dhe vëllimet kanë vijuar rritjen.

Në linjë me kushtet e lehtësuara financiare, kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet me ritme të larta. Ky zgjerim vijon të jetë i lidhur ngushtë me financimin e investimeve dhe të jetë i mbështetur nga rritja e kredisë në Lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, interesat kanë reaguar në kahun rënës, fillimisht në tregun ndërbankar dhe atë primar të letrave me vlerë të qeverisë, e më tej në segmentet e kredisë dhe të depozitave.

Ulja e normës bazë në fillim të muajit Nëntor nga Banka e Shqipërisë nga 3% në 2.75% është përcjellë plotësisht në normat e tregut ndërbankar. Ato mbeten të ankoruara pranë normës bazë dhe kanë shfaqur luhatshmëri minimale. Diferenca e ngushtë e tyre nga kjo normë ka reflektuar një ambient të qetë dhe pa presione të shtuara për likuiditet.

Banka e Shqipërisë ka vijuar të kryejë operacione injektuese të likuiditetit në sistem me anë të instrumenteve të saj kryesore.

Ecuria e Lekut vijoi të diktohet nga presione mbiçmuese edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit. Forcimi i Lekut kundrejt Euros ka qenë i pranishëm në muajt Tetor dhe Nëntor, ku kursi Euro/Lek zbriti në përkatësisht 98.7 Lekë/Euro dhe në 98.2 Lekë/Euro, nga 99.4 Lekë/Euro që ishte në Shtator të vitit të kaluar.

Presionet janë shfaqur më të përmbajtura prej fundit të muajit Nëntor, çfarë është reflektuar në qëndrueshmëri të kursit gjatë muajit Dhjetor dhe në javët e para të muajit Janar.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, 1 Euro këmbehet në kufijtë e 98.7 Lekëve në blerje dhe 99.5 Lekëve në shitje.

Klan News