Notari palestinez Yazan Al Bawwab, i cili po stërvitet për Lojërat Olimpike 2024, ka një mision. Ai dëshiron të përfaqësojë palestinezët që po përballen me luftime të ashpra në Gaza.

Këto lojëra olimpike, të cilat fillojnë në Paris më 26 Korrik, janë ndoshta më të rëndësishme se lojërat e fundit në 2021 kur ai garoi në Tokio, sipas Yazan.

Bawwab, 24 vjeç, i cili ka lindur në Arabinë Saudite nga prindër refugjatë palestinezë, po ndjek një ëndërr që nuk është vetëm e tij.

“Ëndrra e babait tim ishte të mësonte not dhe të bëhej notar, por ai nuk mundi ta bënte këtë, nuk e pati mundësinë kurrë, ishte refugjat nuk kishte as ushqim. Falë Zotit ëndrra e tij u realizua përmes djalit të tij. Ai është krenar që unë arrita në këtë fazë që ai kurrë nuk mundi. Unë u largova nga Palestina, por mbetem palestinez, i gjithë mendimi im është në qendër të Palestinës. Mendoj për Palestinën çdo ditë dhe në çdo sekondë në mënyrë që t’ju përfaqësoj palestinezët në një mënyrë të mirë.”

Por babai i tij, Rashad Al Bawwab, i cili u largua nga territori palestinez kur ishte 18 vjeç, nuk ishte në gjendje ta realizonte atë ëndërr.

“Doja që Yazan të merrej me not, sepse më pëlqente noti dhe është një sport i bukur. Kjo është diçka që nuk mund ta bëja. Kisha një jetë të vështirë kështu që nuk mund të notoja apo të merresha me sport, kështu që zgjodha notin për Yazan dhe ëndërroja që në të ardhmen të bëhej ndër notarët më të njohur.”

Babai i tij shprehet se ndeshjet e ardhshme në Paris janë një mundësi për djalin e tij për të ndihmuar kauzën palestineze.

“Kjo është një mundësi e madhe për Yazan, për të në nivel personal që të jetë në Olimpiadën e Parisit , sepse nuk është e lehtë për një person të arrijë këtë nivel. Por ajo që është më e rëndësishme është se ai përfaqëson një popull të shtypur, të drejtat e të cilit janë të shtypura. Pra, që ai të jetë në pishinë ndoshta njerëzit do të kuptojnë se Yazan përfaqëson këtë popull dhe se ky popull ekziston në Palestinë.”

Në Dubai, Al Bawwab stërvitet vetë dhe me notarin olimpik palestinez Ahmed Gebrel, i cili përfaqësoi Palestinën në Lojërat Olimpike Londër 2012 dhe Rio 2016.

“Yazan është ndër notarët shumë të veçantë, ndër ata që kanë krijuar histori për notin palestinez. Unë shoh se ai është një notar që përfaqëson Palestinën në mënyrë të shkëlqyer. I uroj gjithë fat dhe kam besim se ai do të arrijë nivele të mëdha dhe do të përfaqësojë Palestinë në mënyrën më të mirë.”

Al Bawwab do të udhëtojë në një kamp trajnimi olimpik në Holandë dhe më pas në Francë. Përpara konkursit, fokusi i tij do të jetë në tre gjëra – stërvitje, ushqim i shëndetshëm dhe gjum.

“Shpresoj se jemi të mirëpritur si palestinezë dhe shpresoj se do të fitojmë diçka për ta bërë vendin dhe popullin tonë krenar. Njerëzit në Palestinë po kalojnë periudha të vështira, kështu që shpresoj që ne t’i bëjmë ata të lumtur.”

Përveç bombardimeve pothuajse të vazhdueshme, palestinezët në Gaza po vuajnë një krizë humanitare, me mungesa të mëdha të ushqimit, karburantit dhe ilaçeve. Shumë prej shtëpive të tyre janë shkatërruar.

Kriza humanitare në Gazën jugore po përkeqësohet shpejt për dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur të grumbulluar në një zonë përgjatë bregut të Gazës mes të nxehtit të verës dhe ku konflikti aktiv dhe paligjshmëria po e bëjnë pothuajse të pamundur për punonjësit e ndihmës për të përmbushur nevojat në rritje.

“Shumë familje raportojnë se hanë vetëm një vakt çdo ditë, me disa që hanë një vakt çdo dy ose tre ditë”, thuhet në raportin e OCHA. Rajoni gjithashtu duket se po i afrohet më shumë luftës së përgjithshme midis Izraelit dhe Hezbollahut për shkak të përshkallëzimit të vazhdueshëm. Dhe edhe nëse jo e qëllimshme, një luftë mund të shpërthejë sërish mes përleshjeve në kufirin mes Libanit dhe Izraelit.

Lojërat Olimpike do të mbahen në Paris nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024, pasuar nga Lojërat Paralimpike nga 28 gushti deri më 8 shtator. Programi i Lojërave Olimpike Verore 2024 do të paraqesë 329 gara, ndërsa Lojrat Paralimpike do të bashkojnë 4,400 atletë paraolimpikë nga 182 vende për më shumë se 500 ngjarje sportive. Konkursi pritet të ndiqet nga më shumë se 3.5 milionë spektatorë në mbarë botën.

Klan News