Ndryshe nga kryetari Berisha dhe nënkryetari Topi të Partisë Demokratike, sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode kundërshton tërheqjen e deputetëve hua nga grupet e tjera parlamentarë të opozitës, të cilët nuk i qëndruan në unanimitet votimit për Çekun. Sipas Bodes, nuk duhet të ketë lëvizje të deputetëve deri në mbarimin e këtij sesioni parlamentar pasi në këtë periudhë do të votohen projektligje të rëndësishme që kërkojnë votat e opozitës.

Ridvan Bode: “Ne kemi ndërtuar grupet parlamentare dhe këto grupe parlamentare derisa të mbarojë ky sesion nuk do të jenë objekt i lëvizjeve. Sa i takon bashkëpunimit parlamentar të partive opozitare duhet të vazhdojë dhe duhet të gjendet mënyra e bashkërendimit të veprimeve për të arritur synimet që kanë partitë opozitare në parlament që përfaqësojnë realisht opozitën. Sigurisht individë të caktuar që kanë zgjdhur të bashkëpunojnë në mënyrë të hapur me qeverinë është një çështje personale e tyre, nuk mendoj se është çështje e partive opozitare që i kanë deleguar në parlament.”

Pavarsisht përçarjes që ka pësuar koalicioni Bashkimi për Fitore, sipas Bodes, bashkëpunimi i së djathtës duhet të analizohet për të vazhduar më tej në funksion të interesave të opozitës.

Ridvan Bode: “Ky bashkëpunim, përtej luhatjeve problematikës që ka aktualisht është një bashkëpunim i cili duhet të vazhdojë edhe në prespektivë pasi opozita përtej interesave më të ngushta politike të partive të veçanta ka interesat e opozitës në tërësi. Sigurisht një pjesë e deputetëve që bëjnë pjesë në kampin opozitar këto interesa i kanë braktisur, por ne mendojmë që partitë politike që disponojnë mbi këta deputetë do të analizojnë dhe do të dinë të pozicionohen në perspektivë pasi jemi në një periudhë ku do të miratohen ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me fatet e zgjedhjeve të ardhshme.”

Sipas rregullores së Kuvendit nuk lejohet lëvizja e deputetëve pa përfunduar sesioni parlamentar kështu që verifikimi i grupeve do të bëhet në fillim të janarit 2005. Deri atëherë mbetet për t’u parë vendimi i lidershipit të Partisë Demokratike nëse do të kthejë në grupin e tij deputetët e dhënë hua. /tvklan.al