Për herë të parë në histori, temperatura mesatare globale ka kaluar me mbi 2 gradë Celsius mesataren historike paraindustriale. Ky rekord u regjistrua për gjashtë ditë radhazi.
Të hënën, temperatura e planetit arriti kulmin me 2.24 gradë mbi këtë mesatare historike, më e lartë se kufiri maksimal prej 1.5 gradësh i përcaktuar nga samiti për klimën në Paris në 2015-ën.
Meteorologët parashikojnë se vlera të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Shkencëtarët thonë se ky rekord vjen nga djegia e lëndëve fosile. Një tjetër shkak është fenomeni klimatik El Niño, më i forti që nga viti 1870.
Nxehtësia e madhe po shkakton thatësira dhe zjarre në pyjet e Amazonës dhe Indonezisë.
Si pasojë, këto pyje po thithin më pak dioksid karboni nga atmosfera. Ndërkohë, valët e të nxehtit këtë verë shkaktuan mbi 50 mijë viktima në Bashkimin Evropian.
Ky rekord disaditor nuk do të thotë se është shkelur përfundimisht kufiri i Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015.
Megjithatë, Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se ngrohja globale po përshpejtohet pas dështimit të samitit klimatik Cop31 në Turqi.
/tvklan.al












Botërori 2026 