Numri i foshnjave të lindura nga prindër të huaj në Japoni ka arritur një rekord të ri gjatë vitit 2024, duke reflektuar ndryshimet e shpejta demografike që po e vendosin emigracionin në qendër të debatit politik në vend.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mbi 20 mijë fëmijë kanë lindur nga çifte jo-japoneze, duke përfaqësuar më shumë se 3% të të gjithë lindjeve në vend. Këto shifra paraqesin një kontrast të fortë me rënien e vazhdueshme të lindshmërisë mes prindërve japonezë.

Gazeta ekonomike Nikkei raportoi se si numri ashtu edhe përqindja e foshnjave të huaja kanë shënuar nivelet më të larta ndonjëherë dhe se këto lindje po kontribuojnë në zbutjen e rënies së përgjithshme të lindjeve në vend.

Japoni është ndër vendet me popullsinë më të plakur në botë dhe prej vitesh përballet me vështirësi për të rritur normën e lindshmërisë në nivele të mjaftueshme për të mbajtur të qëndrueshëm numrin e banorëve, që aktualisht është rreth 125 milionë.

Popullsia e huaj në Japoni është rritur ndjeshëm vitet e fundit, për shkak të shtimit të punëtorëve emigrantë që punësohen për të mbushur boshllëqet në tregun e punës, një prirje që për herë të parë e ka kthyer emigracionin në një çështje zgjedhore.

Të dhënat e ministrisë tregojnë se gjatë vitit të kaluar kanë lindur 22,878 fëmijë të huaj, të cilët përkufizohen si fëmijë të lindur nga dy prindër të huaj ose nga një nënë e huaj jo e martuar. Ky numër përfaqëson një rritje prej mbi 3 mijë lindjesh në krahasim me vitin paraprak dhe një rritje prej 50% krahasuar me një dekadë më parë.

Ndërkohë, numri i lindjeve nga çifte japoneze ka rënë në 686 mijë e 173, një ulje prej 41 mijë e 115 lindjesh nga një vit më parë. Në këtë kontekst, lindjet e foshnjave të huaja kanë kompensuar më shumë se gjysmën e rënies së lindjeve japoneze, duke përbërë 3.2% të totalit të lindjeve.

Sa i përket kombësisë së nënave të huaja, gratë kineze përbëjnë grupin më të madh, të ndjekura nga gratë nga Filipinet dhe Brazili.

Kjo rritje reflekton shtimin e shpejtë të numrit të banorëve të huaj në Japoni. Sipas Agjencisë së Shërbimeve të Emigracionit, numri i të huajve me qëndrim të rregullt ka arritur në 3.95 milionë. Shumë prej tyre janë në të 20-at dhe 30-at e tyre, dhe ka gjasa të qëndrojnë më gjatë në vend dhe të krijojnë familje.

Përzierja e popullsive në qytete si Ōizumi, ku jetojnë banorë nga dhjetëra kombësi të ndryshme, ka nxitur reagime nga politika e djathtë, e cila kërkon rregulla më të rrepta për emigracionin dhe masa më të mira për integrimin.

Në zgjedhjet për dhomën e sipërme të Parlamentit në korrik, partia populiste Sanseito pati një performancë të fortë, pas një fushate kundër punëtorëve të huaj.

Sanae Takaichi, liderja e re e Partisë Liberal Demokratike në pushtet dhe pretendente për postin e kryeministres, e bëri emigracionin dhe sjelljen e turistëve të huaj një pikë qendrore të fushatës së saj.

Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore dhe plakja e popullsisë pritet të nxisin më tej emigracionin. Ministri i Drejtësisë, Keisuke Suzuki, deklaroi së fundmi se deri në vitin 2040, përqindja e banorëve të huaj mund të kapërcejë 10% të popullsisë një parashikim që e tejkalon me tre dekada atë të Institutit Kombëtar për Hulumtimin e Popullsisë dhe Sigurisë Sociale, publikuar në vitin 2023.

Ekspertët kanë kërkuar nga autoritetet lokale të bëjnë më shumë për të mbështetur familjet e huaja. “Politikat dhe ndihma për fëmijët e huaj të lindur këtu dhe familjet e tyre janë të vonuara në shumë bashki dhe shpesh mbështeten vetëm te organizatat jofitimprurëse”, u shpreh Toshihiro Menju, profesor vizitor në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare Kansai, për Nikkei.

“Sistemi duhet të krijojë një shoqëri ku fëmijët me shtetësi të huaj, kur të rriten, të flasin japonisht, të fitojnë sa qytetarët japonezë dhe të jenë në gjendje të mbajnë familjet e tyre”, shtoi Menju, duke paralajmëruar se përndryshe, “do të përballemi me një shoqëri të ndarë”./tvklan.al