Administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet të nënshkruajë dhe të shpallë zyrtarisht sot marrëveshjen për energjinë bërthamore me Arabinë Saudite, raporton The New York Times.
Sipas gazetës amerikane, marrëveshja mund t’i lejojë qeverisë saudite të pasurojë vetë karburantin për reaktorët e saj bërthamorë. Detajet e plota do t’i paraqiten më pas Kongresit amerikan, i cili, në bazë të Atomic Energy Act, ka të drejtën të votojë edhe një rezolutë kundërshtuese.
Marrëveshja ka qenë në diskutim prej vitesh. Fillimisht ajo ishte konceptuar nga administrata e ish-presidentit Joe Biden si pjesë e një pakete më të gjerë bashkëpunimi me Arabinë Saudite, por negociatat u ndërprenë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Sipas The New York Times, për të arritur marrëveshjen me princin e kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite, Trump ka pranuar disa kushte që mund të kufizojnë aksesin e inspektorëve ndërkombëtarë në objektet saudite të dyshuara se mund të përdoren për devijimin e materialeve bërthamore drejt programeve ushtarake.
Gazeta shton se marrëveshja parashikon që, pas një studimi të përbashkët mbi fizibilitetin ekonomik të prodhimit të karburantit bërthamor, Arabisë Saudite mund t’i lejohet të pasurojë uranium ose të ripërpunojë plutonium brenda territorit të saj.
Në këmbim, Mohammed bin Salman ka deklaruar se Arabia Saudite do të ndërtojë armë bërthamore vetëm nëse Irani ndërmerr një hap të tillë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
