Hyska: Mbipesha është faktor për shumë sëmundje kronike, si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri

Mbipesha është kthyer në një shqetësim global, pasi vitet e fundit, për shkak edhe të pandemisë së Covid-19, shifrat e obezitetit kanë ardhur në rritje.  Shefja e Sektorit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore në ISHP Jolanda Hyska tha se të dhënat globale, ku edhe Shqipëria bën pjesë tregojnë për një problematikë të shtuar tek fëmijët.

Jolanda Hyska (eksperte e shëndetit publik): Situata është alarmante përsa i përket faktit që mbipesha dhe obeziteti tashmë është zhvendosur edhe në moshën fëminore. Në në nivel botëror, obeziteti është dyfishuar tek të rriturit, për fat të keq është 4-fishuar tek fëmijët dhe adoleshentët. Mbi 1 miliardë njerëz sot vuajnë nga obeziteti.

Sipas të dhënave 5% e vajzave të moshës 5-19 vjeç janë obeze ndërsa tek djemtë niveli arrin në 10%. Tek popullsia adulte nivelin më të lartë të obezitetit e kanë gratë.

Jolanda Hyska (eksperte e shëndetit publik): Nëse do shohim tek femrat nga 14%, jemi në vlerat e 26%, ndërsa për meshkujt nga 21% në 22%. Dietat e pashëndetshme dhe ulja e aktivitetit fizik janë nga faktorët bazë që kanë sjellë rritje të këtyre shifrave.

Sipas ekspertes, obeziteti është faktor kryesor rrisku për sëmundjet kronike.

Jolanda Hyska (eksperte e shëndetit publik): Diabeti, sëmundjet kardiovaskulare apo edhe disa lloje kancerash. Për të mos folur pastaj trajtimi është akoma më i vështirë sepse njerëzit ndihen përballë një stigme lidhur me peshën e tyre që i bën ata t’i drejtohen më me vështirësi shërbimit shëndetësor, duke sjellë pastaj edhe pasoja te shëndeti mendor.

Në ditën botërore të obezitetit, Shefja e Sektorit të Ushqyerjes në Institutin e Shëndetit Publik, u bën apel prindërve që fëmijëve t’u japin ushqim me vete në shkollë dhe të eleminojnë pijet me sheqer të shtuar dhe ato me gaz.

Klan News